Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në një konferencë për media, në ditën e Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se është akti më i lartë juridik i vendit dhe të gjithë duhet ta mbrojmë kushtetutën e vendit tonë. Sipas tij, LDK ka dëshmuar se respekton Kushtetutën dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur të shkel disa herë Kushtetutën e Kosovës, të vërtetuara me aktgjykime të plotfuqishme të Gjykatës Kushtetutës. Rasti i parë ishte në Këshillin e Pavarur të të Shërbimit Civil të Kosovës dhe rasti më i freskët është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u vërtetua se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën e vendit“, tha ai.
Kurse, anëtarja e LDK-së, profesoresha Jehona Lushaku, duke paraqitur qëndrimin e LDK-së lidhur me aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e riorganizimit të mësimit në Kamenicë, me të cilin u vërtetua se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën e vendit.
“Ky vendim përveç që është jokushtetues, tregon se si qeveria aktuale ka përdorur arsimin për fitime elektorale. Ua kujtojmë se ky vendim ishte marrë në kohë fushate të zgjedhjeve të kaluara lokale. Shqetësuese është po ashtu, mënyra se si kjo qeveri nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dje ministrja e Arsimit ka deklaruar se do ta analizojë vendimin duke mos e marrë atë si të plotfuqishëm dhe duke mos dhënë dorëheqje. Qeveria tanimë është shndërruar në një gjykatë. Ministria ka harruar se Gjykata Kushtetuese është ajo që analizon vendimet e Qeverisë dhe jo qeveria ato të Gjykatës Kushtetuese. Kjo ministre nuk mund të udhëheq arsimin ku edukohen gjeneratat e ardhshme, ajo nuk është shembull i mirë“, tha ai.








