KOSOVË / Liderët politikë me thirrje të forta: Dalje sa më e madhe në zgjedhje
Krerët e partive politike iu bën thirrje qytetarëve për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se sa më e madhe të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe më solid stabiliteti i tyre.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve e aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të kuvendit të republikës në legjislaturën e 11.. Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu do të shihemi pas katër viteve” – Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes
Ish-presidentja e Kosovës, bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh optimiste se vota e qytetarëve do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.
“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë. Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza” – Vjosa Osmani, LDK.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të dalin të votojnë sipas bindjeve të tyre në mënyrë të qetë e demokratike.
“I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme” – Bedri Hamza, Kryetar i PDK-së.
Në garën elektorale marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje kandidon në koalicion me Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garojnë të vetme.
Njohësit e çështjeve politike parashikojnë tre skenarë të mundshëm nga këto zgjedhje: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja. /Alsat.mk









