Kosovë, opozita e pakënaqur nga takimi më Kurtin

Kosovë, opozita e pakënaqur nga takimi më Kurtin

Liderët opozitarë në Kosovë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Të tre liderët e partive opozitare i shkuan në takim Kurtit për të diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos në veri. Në takim morën pjesë Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kreu i PDK-së, Krasniqi, pas takimit, tha se Kosovës “në këto momente i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit”.

“Sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që qeveria e dinë se në çfarë rruge ka hyrë dhe sesi të dal nga kjo situatë duke e ruajtur territorin e Kosovës. Unë ia shpreha kërkesën e PDK-së, se Kosovës i duhen veprime dhe vendime të përgjegjshme, që e ruajnë sovranitetin e Republikës”, deklaroi Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

Lideri i LDK-së, Abdixhiku, theksoi se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”.

“Sot është akt patriotik që të kërkohet koordinimi me SHBA-në. Nuk ka koordinim të tillë sepse nuk ka një deklarim të tillë. Dhe, i treguam kryeministrit që temën me Serbinë të mos ta bëjmë temë të diskutimit të brendshëm sepse partitë në këtë pikë janë në një pikë”, u shpreh Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.

Haradinaj lëshoi takimin dhe tha se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç u shpreh, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën”. “Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, t’i prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryeministri Kurti tha se takimi shkoi shumë mirë, por sipas tij krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues.

“Nuk është e vërtetë që nuk dimë ne se çfarë rruge jemi duke shkuar, rruga jonë është rrugë e ligjshmërisë, e kushtetutshmërisë, e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave, është rrugë e paqes dhe sigurisë e cila bëhet në përputhje me mandatin tonë, me vullnetin e popullit dhe bashkërendim me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë perëndimor”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Takimi i liderëve u thirr tre ditë pasi përfaqësuesit serbë u dërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe pas deklaratave të vetë Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të Kosovës. Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button