Kosovë/ Osmani: Shumë shpejt do ta kemi datën e thirrjes së seancës konstituive
Kosovë/ Osmani: Shumë shpejt do ta kemi datën e thirrjes së seancës konstituive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shumë shpejt do të caktohet edhe data se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Osmani tha se Presidenca ka pranuar sot shkresën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi një ditë më parë u certifikuan rezultatet zgjedhore për votimet e 9 shkurtit. Ajo tha se do të respektojë afatin ligjor që brenda 30 ditësh të thirret seanca konstituive. Gjatë seancës konstituive zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe deputetët e rinj bëjnë betimin. Propozimi për kryetarin e ri i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast, Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm pasi të ketë përfunduar seanca konstituive, presidentja mund të vazhdojë me obligimet e saj ligjore për të mandatuar partinë e parë për formimin e Qeverisë së re.
“Pak më parë ka ardhur edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në presidencën e Republikës së Kosovës, ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Kosovës. Siç e dini ka një afat prej 30 ditësh, është një afat kushtetues, ligjor i cili parashihet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’iu jap një datë se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi atë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës. /Alsat.mk








