Kosovë/ Partitë përplasen pas dështimit të formimit të Qeverisë, thirrje urgjente për shpalljen e zgjedhjeve

Kosovë/ Partitë përplasen pas dështimit të formimit të Qeverisë, thirrje urgjente për shpalljen e zgjedhjeve

Pas dështimit të dytë për formimin e qeverisë, deputetë nga partitë kryesore politike kanë reaguar me qëndrime të ndryshme, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të ndërmarrë hapat e radhës kushtetues.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se tanimë presidentja ka obligim që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja. Ai theksoi se dështimi për formimin e qeverisë ka qenë i paralajmëruar dhe se vendi ka humbur muaj të tërë në një proces pa epilog.

“Kemi mbi nëntë muaj që nga zgjedhjet dhe qytetarët tashmë i kishin thënë ‘jo’ referendumit të Kurtit. Kam paralajmëruar qysh më 27 prill se ky ngërç do të vazhdojë dhe kam kërkuar që vendi të shkojë më herët në zgjedhje. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, presidentja është e obliguar të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve. Propagandat e pavërteta të dëgjuara në seancën e parë nuk qëndrojnë – Kosova nuk rrezikon fondet e BE-së, kreditë apo pagat e qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e quajti procesin e sotëm një “shfaqje teatrale” nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai i bëri thirrje presidentes që të respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje në procedurat kushtetuese.

“Loja me numra këto tetë muaj dhe dështimi i sotëm ishin të paralajmëruar. Vendit nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është lajm i keq, por i pritshëm”, deklaroi Zemaj.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se janë bashkuar me Listën Serbe me qëllim të vetëm – kundërshtimin e Albin Kurtit.

“Sot u pa qartë se opozita, bashkë me Listën Serbe, u unifikuan për ta bllokuar Kurtin. Janë të gatshëm të lënë 700 punëtorë të RTK-së pa paga, 85 mijë shërbyes civilë, 400 mijë fëmijë pa shtesa dhe 300 mijë pensionistë pa pensione, vetëm që të mos i mbetet atyre faji. Shpresoj që qytetarët ta kenë parasysh këtë në zgjedhjet që po vijnë”, u shpreh Murati.

Pas dështimit të votimit të mandatarit Glauk Konjufca, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

 

LEXO EDHE:

Back to top button