Kosovë, përurohet shtëpia për të moshuarit pa përkujdesje familjare

Mbi tre mijë donatorë kanë ndihmuar në ndërtimin e “Shtëpisë së të Moshuarve”, e cila do të shërbej për strehimin e atyre të cilët janë pa përkujdesje familjare. Iniciatorë i këtij projekti është shoqata “Jetimat e Ballkanit”, e cila tash e sa vjet po ndihmon familjet në nevojë. Kështu sot në fshatin Gjinoc të Suharekës, është bërë edhe përurimi i “Shtëpisë së të Moshuarve”, ku veç tjerash nuk munguan premtimet nga përfaqësues institucional, për kujdes shëndetësor të banorëve të kësaj shtëpie.

Ky objekt nga e shtuna, do të jetë strehë për të moshuarit pa përkujdesje familjare, ku edhe u dorëzuan çelësat për dy banorët e parë të kësaj shtëpie.

Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati tha se ky projekt është ide e jetës së tij. Ai theksoi se gjatë kësaj dekade të veprimtarisë së tyre janë ballafaquar me shumë sfida dhe situata të rënda.

“Rrëfimet prekëse të shumë jetimëve, skamnorëve, e të sëmurave dhe hallegjinjëve na bëjnë që shumë netë t’i kalojmë pa gjumë, por vëllezër dhe motra të pranishëm prekë, rrëqethëse dhe të pakëpërdishme janë rrëfimet e të moshuarve tanë që për një apo tjetër arsye nuk kanë shijuar kënaqësinë e të qenurit prindër. Rrëfimet e tyre janë prekëse, ta dridhin zemrën dhe ta thajmë fytin”, u shpreh Kastrati.

Humanisti Halil Kastrati tha se shoqata “Jetimat e Ballkanit”, përkujdeset për shumë të moshuar, ku tregoi se si dy raste kanë qenë vendimtare që e kanë shtyrë atë për realizimin e këtij projekti.

“Një ditë të zakonshme shkuam për t’i vizituar disa nga të moshuarit, por njërin nga pleqtë që na priste me padurim, e gjetëm të vdekur, kishte ndërruar jetë pa e parë askush. Kishte ndërruar jetë me sy hapur. Vazhduam rrugëtimin te një tjetër i moshuar, e i cili sa herë që shkoja m’i kapte duart dhe donte të mi puthte. Thoshte se duart e tua kanë ledhatuar shumë jetimë. Andaj dëshiroj t’i puth ato duar, dhe i them atij që shyqyr që na i mundësoi Zoti që të jem unë ai që ledhatoj kokat dhe duart e tyre”, ka shtuar Kastrati.

Humanisti Halil Kastrati, u zotua se angazhimi i tyre nuk do të përfundojë këtu, duke shtuar se do të jetë gjithmonë pranë personave të cilët do të kenë nevojë për ndihmë.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj premtoi përkujdes shëndetësor për këta të moshuar që do të jenë banorë në këtë shtëpi. Zemaj tha se për Qeverinë e Kosovës, është justifikim moral, promovimi i projekteve të tilla.

“Si institucione e kemi obligim moral përkrahjen institucionale. Kemi pasur rastin që të vizitojmë edhe gjatë punimeve të këtij objekti. Interesimi ynë ka vazhduar në mbështetjen institucionale që duhet të kenë të moshuarit dhe trajtimi i tyre të jetë sa më adekuat. Do t’i marrim këto obligime, do t’i harmonizojmë, do t’i strukturojmë në aspektin ligjor dhe këtë përkrahje ta vazhdojmë, që ata të cilët qëndrojnë në këtë shtëpi të madhe ta kenë trajtimin dinjitoz edhe në aspektin shëndetësor”, ka theksuar Zemaj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj tha se humanisti Halil Kastrati u ka mundësuar shumë të moshuarve që të kenë jetë të dinjitetshme.

“Ky projekt ia ka dhënë një kuptim të ri, jo vetëm të atyre të moshuarve që do të vendosen këtu, por një kuptim të ri edhe Therandës. Dhe ia ka dhënë një kuptim të ri edhe vet Kosovës, sepse është projekti i parë, i cili prej një shoqate bamirëse, e merr një funksion jo vetëm në nivel të komunës, por në nivel nacional, të cilat i kam pare diku në perëndim të cilët këtë frymë e këtë nivel, Kastrati dhe Iliri e kanë sjellur këtu ne Kosovë. Kjo punë ëahtë një model”, tha Hoxhaj.

Në përurim të kësaj shtëpie morri pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe ndau një medalje për Halil Kastratin, i cili u dedikohet njerëzve që bëjnë vepra të mira për kombin.

“Të them të drejtën nuk kemi qenë shumë të sigurt që do të kryhet, kështu që iu përgëzojmë për këtë. Dhe i falënderojmë gjithë ata që u janë bashkuar juve, gjithë ata që e kanë përkrahur këtë projekt… E shoh se kjo është një formë e re e partneritetit, nuk është publiko-privat sepse pala nuk është investitor profitabil, por është një bamirësi që gjen prej njerëzve për një qëllim tepër human dhe njerëzor”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari bëri thirrje për bashkim, që mund të realizohen gjëra të mira e në shërbim të qytetarëve.

“Shpresoj që ky objekt të ketë gjallëri brenda, të funksionoj ashtu me shumë kurajo dhe shpresë, dhe me fjalët e ministrit që nuk do të mungojë as mbështetja institucionale”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka falënderuar të gjithë donatorët të cilët mundësuan ndërtimin e kësaj shtëpie. Sipas tij, ideja për ndërtimin e saj ka filluar para dhjetë vitesh.

“Në vitin 2010 kam qenë nënkryetar në komunë dhe një ditë erdh një i moshuar nga fshati Samadraxhë hyri brenda, dhe më tha a ka mundësi me gjet me flejt dikun, një vend për 30 ditë, shumë shpejt vendosa me i thënë po, arsyeja tha se unë kam pasuri, por djemtë e bellezërve dëshirojnë me më qu në Shtime, unë nuk jam i sëmurë. Prej atij momentin ka ardh ideja që të fillojmë me ndërtimin e shtëpisë se moshuarve”, theksoi ai.

Ndër tjera, Muharremaj shtoi se këtë vit do të ndërtohen 30 shtëpi në komunën që ai udhëheq.

Në përurimin e kësaj shtëpie, morën pjesë edhe përfaqësues fetar dhe ushtarakë.

LEXO EDHE:

Back to top button