Kosovë, pritet të arrijnë trupat e viktimave nga aksidenti në Kroaci

Në Kosovë pritet të arrijnë sot trupat e viktimave që pësuan të dielën në aksidentin në Kroaci.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

Në spitalin e Sllavonski Brodit vazhdojnë trajtimin edhe 15 pasagjerë të lënduar – njëri prej tyre në gjendje të rëndë, tha ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Sipas tij, një pasagjere po trajtohet në spital të Zagrebit.

Vitia tha se nga pasagjerët e liruar nga spitali, katër prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani.

Radio Evropa e Lirë mori vesh se transporti i viktimave të aksidentit po bëhet përmes Malit të Zi dhe jo Serbisë, pasi kjo e fundit nuk e njeh dokumentacionin për këtë rast.

Një kompani private është duke bërë transportimin e dhjetë kufomave nga Kroacia në Kosovë.

LEXO EDHE:

Back to top button