Kosovë, sot hyn në fuqi masa qortuese për targat ilegale

Kosovë, sot hyn në fuqi masa qortuese për targat ilegale

Sot në Kosovë ka hyrë zyrtarisht në fuqi, masa qortuese për targat ilegale, vendim ky i Qeverisë së Kosovës për ata që refuzojnë t’i konvertojnë ato në ‘RKS’.

Vendimin për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve, Qeveria e Kosovës e mori të premten.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës në përputhje me vendimin e ri të qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ‘ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend. Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky vendim ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve, të cilët kanë përsëritur se i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që vendimin për targat ta shtyjë për 10 muaj.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për zgjatjen e afatit për implementimin e vendimit për targat.

“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht, se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit. Ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Price./Kosovapress

LEXO EDHE:

Back to top button