Kosovë: Vetvritet i dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë

Kosovë: Vetvritet i dyshuari për plagosjen e dy grave në Fushë Kosovë

Ka vdekur i dyshuari për plagosjen e dy grave këtë të shtunë në Fushë-Kosovë.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori.

Ai ka thënë se i dyshuari është pranuar në QKUK në gjendje të rëndë, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Gjendja e tij kur është pranuar në QKUK ka qenë e rëndë, pra ka pasur shenja jete por ka qenë me parametra vital të komprometuar. Ka pasur dy plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë Govori.

Ndërsa, ka shtuar se gratë e plagosura janë në gjendje stabile.

Plagosja ka ndodhur të shtunën në mesditë në rrugën “Besa Besë”, në Fushë Kosovë. Që nga momenti i plagosjes, i dyshuari ishte në arratisje.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se mbi të rëndojnë veprat “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësite e tjera relevante, ku sipas informatave fillestare mund t’iu njoftojmë se nga të shtënat me arme zjarri nga një i dyshuar, janë plagosur dy femra të cilat janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar në drejtim të veprave penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje’ ”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

E Policia, përveç se ka konfirmuar plagosjen dhe që është në kërkim të të dyshuarit, nuk ka dhënë informata të tjera deri tash.

LEXO EDHE:

Back to top button