Kosovë, vidhen 2.1 milionë euro nga Thesari, Bajrami thotë se buxheti i shtetit është i sigurt

2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit në Kosovë kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik, e lidhur me këtë rast janë suspenduar dy punëtorë të Thesarit të Shtetit, derisa njëri edhe është arrestuar. Ky i fundit që dyshohet se ka kryer transaksionin, për 11 vjet ka qenë punëtor i Thesarit të Shtetit.

Mjetet prej 2.1 milionë eurosh janë tërhequr nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës më 9 tetor, e vetëm dje është denoncuar rasti.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministrja e Financave Hykmete Bajrami, tha se këto mjete janë tërhequr nga llogaria, derisa shtoi se mjetet e buxhetit të Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe ato janë të sigurta.

Ajo tha se lidhur me rastin janë njoftuar organet e rendit dhe se po bëhet përpjekje që këto mjete t’i kthehen buxhetit të shtetit.

“Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Republikës së Kosovës që është në kuadër të Ministrisë së Financave dhe rreth 2.1 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. Me ta kuptuar rastin, kemi filluar verifikimet, kemi denoncuar rastin dje te të gjitha organet e rendit, policia ku krimet kibernetike, krimet ekonomike janë duke u marrë më të. Gjithashtu, kemi kërkuar auditim të brendshëm, deri më tani janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës. Duke punuar me rastin janë edhe Njësia e Inteligjencës Financiare, po gjithashtu kemi njoftuar edhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës. Unë dola këtu për të thënë që ne tanimë kemi gjurmuar. Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transaksionet e kryera si rezultat i këtij transaksioni. Institucionet e rendit janë duke u marrë për të gjetur se kush janë përfituesit fundorë të këtij transaksioni, i cili është keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim i autorizimeve ligjore, të cilat i ka pasur zyrtari dhe institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”, tha Bajrami.

Ajo tha se ky është një rast i izoluar me të cilin intensivisht  po merret edhe Ministria e Financave dhe organet e rendit, derisa theksoi se duke qenë transaksion bankar, gjithçka po gjurmohet.

Ministrja Bajrami nuk ka dhënë detaje se te cili operator ekonomik janë transferuar paratë, në mënyrë që të mos dëmtohen hetimet.

“Tani më datë 9 tetor ka ndodhur transaksionet dhe mjetet nga buxheti i një ministrie tjetër janë tërhequr dhe janë bërë pagesa në emër të këtij operatori privat. Ka kaluar një kohë, ministria e linjës i ka parë transaksionet, ka pyetur Thesarin e Republikës së Kosovës se mos është ky ndonjë ekzekutim i ndonjë vendimi gjyqësor. Menjëherë janë bërë verifikimet dhe kemi ardhur deri te denoncimi i rastit. Po atë ditë, ne kemi njoftuar organet, jo më 9 tetor, por në fakt krejt procedura e hetimit ka filluar dje. (Mjetet janë tërhequr) nga Ministria e Infrastrukturës”, tha ajo.

E para e dikasterit të Financave ka dhënë detaje lidhur me punëtorët e Thesarit, që dyshohet për këtë rast.

“Njëri është i suspenduar, sepse ka qenë në vijë raportuese, do të thotë nuk është drejtpërdrejtë i involvuar. Zyrtari përmes llogarisë së të cilit janë bërë transaksionet është arrestuar, ndërkohë që është suspenduar përgjegjësi i tij… Zyrtarët janë zyrtarë të Thesarit, do të thotë zyrtari, i cili tashmë është i arrestuar është zyrtar i Thesarit, punon në Thesar që 11 vjet edhe tjetri është eprori i tij në vijë raportuese. Të gjithë ata që punojnë aty kanë qasje, sepse duhet të kryejnë transaksione në baza ditore, vetëm se ky ka qenë një keqpërdorim në këtë rast i detyrës së zyrtar dhe autorizimeve ligjore që ka zyrtari”, tha Bajrami.

LEXO EDHE:

Back to top button