Kosovë, Vitia: Asnjë i vaksinuar nuk ka pasur efekte anësore

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia tha se kontigjenti tjetër i vaksinave kundër koronavirusit, pritet të arrijë në Kosovë në fund të muajit prill, ose në fillim të majit.

Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, ka njoftuar se gjatë muajit maj Kosova do të furnizohet edhe me 76.800 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në total, Kosova nga COVAX-i do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas.

“Jemi në kontakte me shtetet mike që sa më shpejt të sigurojmë sasi të vaksinave. Ne kemi kërkuar nga gjithë miqtë tanë të kontribojnë dhe ndihmojnë në këtë situatë. Akoma nuk e kemi një pergjigje definitive nga këto shtete”, tha Vitia, pa saktësuar se për cilat shtete bëhet fjalë.

Këto komente, ministria Vitia i bëri në sallën 1 Tetori në Prishtinë, ku të enjten ka nisur vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeçare, kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.

Ministri Vitia tha se deri më tash nuk është shënuar asnjë rast që ka pasur ndonjë efekt anësor nga vaksinat.

“Vaksina është e sigurt dhe ftoj gjithë qytetarët mbi moshën 85 vjeç të lajmërohen dhe vaksinohen”, tha Vitia.

Më 29 mars Kosova ka nisur fushatën e imunizimit.

LEXO EDHE:

Back to top button