Kovaçevski dhe partnerët e koalicionit qeveritar nga BDI kundër kërkesës së mësimdhënësve
Kovaçevski dhe partnerët e koalicionit qeveritar nga BDI kundër kërkesës së mësimdhënësve
Gazetare: Melihate Rustemi
Refuzimi SASHK-ut për rritjen e pagave për 10% në çerdhe dhe arsim është shantazh që shkakton dëm të pariparueshëm në arsimin e nxënësve, shkruan Alsat.
Kështu vlerëson kryeministri Dimitar Kovaçevski duke shtuar se Qeveria është për dialog por kërkesat dhe qëndrimi i SASHK-ut janë krejtësisht të papranueshme.
Sipas tij vendi i fëmijëve është në shkolla dhe në këtë situatë përgjegjësinë e ka vetëm SASHK-u.
“Edhe krahas gjithçka, SASHK-u konsideron se rritja e pagave prej 2.500 denarë është pak. Në kushtet kur me masat kundër krizës të miratuara nga Qeveria, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për 4.000 denarë në muaj. Ky thjesht nuk mund të konsiderohet qëndrim i arsyeshëm, por presion i dukshëm me të cilin shihet qartë se SASHK-u i vë interesat personale para atyre të fëmijëve”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
BDI vlerëson se greva e SASHK-ut, është agjendë politike kundër nxënësve dhe prindërve.
“Është e pa tolerueshme humbja e mësimit në kushte si sot, kur mbarë globi përballet me Pandeminë, krizën ekonomike dhe energjetike, derisa Qeveria dhe Ministria e Arsimit e shkencës po bën përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor”, thonë nga BDI.
Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickoski, e vlerëson si të turpshëm propozimin për 10 për qind rritje, ndërsa thotë se Qeveria në vend që të punojë për standardin e punonjësve të arsimit, shkakton tensione dhe revolt.
“Atë që e propozoi Qeveria është të vazhdoj të vjedh dhe ti shpenzojë në mënyrë jo të duhur paratë. Siç kuptova gojarisht 10% rritje të pagave të mësimdhënësve dhe të punësuarve në çerdhe pa pasur marrëveshje të shkruar pas rishikimit të buxhetit për të cilin nuk dihet kur do të ndodh dhe a do të ndodh”, u shpreh Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Kryetari i ASH-së Ziadin Sela tha se mbështesin grevën duke përmendur amendamentin e partisë së tij për rritje lineare të rrogave, i cili nuk u pranua nga shumica parlamentare.
“Mua më duket absurde dhe hipokrizi nga ana e Qeverisë se tani po bëjnë rolin e viktimës. Po kjo Qeveri në kohën kur u rregullua çështja e rrogës minimale, e refuzoj amendamentin e ASH-së për rritjen lineare të rrogave, që nënkupton rritjen edhe të pagës së arsimtarëve dhe të gjithëve, po të pranohej ky amendament ne sot nuk do ishim në grevë, andaj Qeveria të mos luaj rolin e viktimës”, theksoi Ziadin Sela, ASH.
Lëvizja Besa tha se e mbështet grevën duke e vlerësuar si të drejtë vendimin e Sindikatës për refuzimin e ofertës së Qeverisë për rritje vetëm 10 për qind të pagës./ Alsat.mk








