Gazetar: Lluka Andreev
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, u kërkoi partive politike dhe deputetëve ta njohin rëndësinë e vendimit me të cilin po përballen. Ai theksoi se në periudhën e ardhshme do të udhëheqë vendimet që, siç tha ai, nënkuptojnë vazhdimin e rrugës së integrimit evropian.
“Unë po dërgoj porosi dhe thirrje për unitet, për bashkim dhe për t’u ngritur mbi dallimet tona politike dhe ideologjike”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Në duart e Kovaçevskit janë propozim- amendamentet për ndryshimet kushtetuese të formuluara nga grupi i punës të premten. Por tani për tani, është e paqartë se kur Qeveria do t ‘i dërgojë në Kuvend. Së pari, duhet të miratohen në seancë qeveritare. Një seancë e tillë do të mbahet të martën, por nuk ka konfirmim nëse kjo çështje do të jetë në rendin e ditës përpara ministrave. Pasi të miratohen, amendamentet do të vihen automatikisht përpara deputetëve. VMRO- DPMNE i kërkoi Kovaçevskit të paraqesë propozimin në Kuvend sa më parë të jetë e mundur, ndërsa LSDM pret që procesi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend të fillojë në fillim të periudhës së verës, pa specifikuar kur.
“Dimitar Kovaçevski duhet ta paraqesë çështjen e ndryshimeve kushtetuese në parlament sa më parë, për të parë se nuk ka shumicë dhe për t’i shpallur zgjedhjet”, u shpreh Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
“Është koha për votë për Evropë në Kuvend që të vazhdojë rruga evropiane e vendit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo të ndodhë deri në fund të këtij viti kalendarik, dhe viti i ardhshëm është sigurisht një vit zgjedhor”, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
Socialdemokratët përsëritën sot se në dhjetë ditët e ardhshme do të mbahet takimi Kovaçevski-Mickoski dhe çështja e integrimit evropian e vendit do të jetë në tryezë, sipas kryeministrit. Sipas VMRO-DPMNE-së, përsëri në takim duhet të diskutohet për periudhën që do të pasojë pasi procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë sukses.
Hapi i parë në Kuvend fillon me votimin e nevojës për ndryshimin e Kushtetutës, e cila kërkon 80 vota pro, dhe pastaj procesi pritet të zgjasë deri në katër muaj. /Alsat.mk








