Kovaçevski: Puna e Kuvendit nuk është ndaluar edhe përskaj bojkotit dhe bllokadës së opozitës

Gazetar: Adrian Kerimi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se Kuvendi nuk është i bllokuar. Sipas tij, trupat punues funksionojnë, derisa akuzoi VMRO-DPMNE-në se në kohë të krizës ekonomike, energjetike dhe shëndetësore po punon në dëm të interesave shtetërore, shkruan Alsat.

“Shohim se puna e Kuvendit nuk është ndaluar edhe përskaj bojkotit dhe bllokadës që po bën opozita edhe atë jo e gjithë opozita por vetëm VMRO-DPMNE-ja. Në seancën e fundit u votua rendi i ditës dhe u miratuan disa pika nga seanca. Shohim se edhe në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime ka filluar debati për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, ku të gjitha partitë politike kanë propozuar emrat e tyre, përfshi edhe mendimet e ekspertëve dhe deputetëve ku pas debatit vazhdon zgjedhje e tyre”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër

Por lideri i VMRO-DPMNE-së thotë të kundërtën. Sipas tij, pushteti para opinionit rrah gjoks se Kuvendi nuk është i bllokuar, ndërsa nga ana tjetër ankohet para përfaqësive diplomatike për veprimet e opozitës. Të hënën VMRO-ja mban mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv për të vendosur hapat e mëtejmë të bllokadës.

“Janë të njëjtit këta që para mediave thonë se bllokada nuk ka sukses, ndërsa nga ana tjetër gjunjëzohen dhe qajnë para ambasadave të huaja se si VMRO-DPMNE-ja bllokon dhe bojkoton. Flasim për njerëz të cilët duan të jenë heronj para mediave duke pritur që opinioni ti thotë bravo, ju jeni Qeveri e fortë, ndërsa nga ana tjetër u pikin lotët para përfaqësive të huaja duke menduar se në këtë mënyrë do të bëjnë presion ndaj VMRO-DPMNE-së dhe do na frikësojnë dhe kështu ne të tërhiqemi nga ajo që kemi planifikuar”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së

Lidhur me publikimin e përgjimit përmes të cilit pretendohet se kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi fyen rëndë të punësuarit në ligjvënës, Mickoski tha se nga ajo që ka dëgjuar, turpërohet që e njeh Xhaferin. Subjekti i Mickoskit sot kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Xhaferit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button