Kovaçevski: Takimi i liderëve do të ndodhë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski assesi të caktojë takimin e paralajmëruar me kreun e VMRO-DPMNE-së në të cilin kishte thënë se do të diskutohet për situatën aktuale politike, shkruan Alsat.

Plot një muaj nga paralajmërimi i këtij takimi, Kovaçevski këmbëngul se ky takim do të ndodhë por pa potencuar se kur.

“Ata takime normalisht se do të ndodhin. Kur të ketë detaje do t’u informojmë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Pas zgjedhjet kryetar i LSDM-së dhe para votimit të Qeverisë së re, Kovaçevski kishte deklaruar se me Mickoskin në takim do të diskutojnë për disa çështje.

“Unë z.Mickoskit i thash se pas zgjedhjes së Qeverisë së re do t’i dërgoj ftesë që të mund të ulemi, të shkëmbejmë mendime dhe të bisedojmë për çështjet e hapura veçanërisht ata të cilët janë pjesë e debatit parlamentar”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Kreu i VMRO-DPMNE-se, Hristijan Mickoski, akoma pret ftesën e Kovaçevskit. Ai gatishmërinë e tij e konfirmoi një ditë më parë.

“Në media u mburr se më ka telefonuar një mëngjes për të më thënë se do të kemi takim të cilin akoma nuk e ka caktuar. Pres ta caktojë atë takim dhe do të shkojë të takohemi të bisedojmë për temat aktuale”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Një ndër temat e këtij takimi, pritet të jetë fati i qeverisë teknike. Një marrëveshje për shfuqizimin e këtij modeli ishte arritur mes Zaevit dhe Mickoskit në takimin e tyre të fundit por nisma e VMRO-DPMNE-së dështoi. Një ditë pasi shumica parlamentare në Kuvend nuk e votoi nevojën për shfuqizimin e qeverisë teknike, VMRO-DPMNE-ja konfirmon se nuk do të heqë dorë.

“Është e qartë se zotëri Zaevin nuk e respektojnë as në partinë e tij. Unë nuk e di se si nuk u vinte turp deputetëve të LSDM-së që për diçka të cilën e ka thënë publikisht kryetari i tyre gjatë vitit të kaluar, tani votojnë kundër. Por kryetar i ri, kahje të reja. Do të shohim ku do të shkojë kjo punë. Ne do të vazhdojmë të bisedojmë për këtë dhe do të kërkojmë që kjo zgjidhje ligjore të shfuqizohet”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja beson se shfuqizimi i qeverisë teknike, hap rrugën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme duke mos pasur nevojë për hapësirën 100 ditore deri në mbajtjen e tyre. Me ose pa qeveri teknike, partia opozitare beson se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button