Koxhobashev : Ndryshimet ligjore për ndalimin e emërtimit të shoqatave me emra fashistësh, hap anti-evropian

Koxhobashev : Ndryshimet ligjore për ndalimin e emërtimit të shoqatave me emra fashistësh, hap anti-evropian

Gazetar: Lluka Andreev

Sofjes zyrtare nuk i pëlqejnë ndryshimet e propozuara në ligjin për shoqatat, të cilat mund të prekin emrat e klubeve bullgare “Ivan Mihaillov” dhe “Car Boris III”. Zëvendësministri i Jashtëm bullgar Kostadin Koxhabashev informoi se Shkupi ka nisur një fushatë kundër organizatave bullgare. Sipas tij, me ndryshimet e propozuara, Maqedonia tashmë shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtën e bashkimit.

“Është jashtëzakonisht e papranueshme të përdoret narrativë, përfshirë edhe nisma ligjore, të cilat shfrytëzojnë në mënyrë joparimore tema që lidhen me fashizmin, antisemitizmin dhe terrorizmin, me qëllim kufizimin e të drejtave themelore dhe përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ne kategorikisht refuzojmë përpjekjet për të imponuar interpretime selektive, të njëanshme të historisë”, tha Kostadin Koxhabashev – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

Koxhabashev tha se vendit kandidat për anëtarësim në BE duhet t’i bëhet me dije se praktikat evropiane për të drejtën e bashkimit kanë për qëllim lehtësimin, e jo vështirësimin e themelimit të organizatave dhe shoqatave.

“Bullgaria mund të mbështesë çdo hap të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vetëm me kusht që të garantohen të drejtat e bullgarëve në shtetin fqinj. Pasojat e ndryshimeve të fundit ligjore në Shkup janë në kundërshtim me këtë kusht”, u shpreh Kostadin Koxhabashev – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

Ky është reagimi i parë i Sofjes ndaj ndryshimeve të propozuara që po shqyrtohen në Kuvend me procedurë të shkurtuar. Ato u propozuan nga opozita dhe u mbështetën nga shumica dhe parashikojnë ndalimin e emërtimit të shoqatave me emrat e figurave kontroverse të së kaluarës.

Ndërkaq, në Berlin për herë të parë ministri Bujar Osmani pati një takim me kolegun e tij bullgar Nikollaj Millkov. Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, të dy ministrat diskutuan për provokimet e shumta nga grupe dhe individë në të dy vendet, të cilat kanë dominuar gjithnjë e më shumë në diskursin publik në periudhën e kaluar. Osmani dhe Milkov theksuan se të dy ministritë do të punojnë në mënyrë aktive për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si interes i ndërsjellë i dy vendeve, dhe nuk do të lejojnë që provokimet të prishin këtë proces./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button