Krasniqi: Akuzat më dhembin më shumë sesa torturat mizore të regjimit serb

Krasniqi: Akuzat më dhembin më shumë sesa torturat mizore të regjimit serb

" "

Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ripërsëriti pafajësinë e tij para gjykatës së Hagës duke thënë se asnjëherë s’ka kryer apo të jetë përfshirë në vrasje apo burgosje. Akuzat e ngritura ndaj tij i quajti “absurde”.

“Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura. Unë e urrej dhunën, vrasjen jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe ndaj meje personalisht, por sepse i konsideroj tepër të ulëta dhe çnjerëzore.

Unë Jakup Krasniqi nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje, në asnjë formë presioni ndaj kujtdoqoftë. Integriteti im intelektual e njerëzor më ka mësuar të kem të qartë cilat mjete duhen të përdoren për realizimin e çlirimit kombëtar në luftë kundër atyre që përpiluan dhe zbatuan genocide ndaj nesh.”

Absurde i quajti edhe akuzën që ai mund të ketë qenë kundër LDK-së ku vetë ka qenë i angazhuar.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së. Unë vetë isha anëtar I saj, familjarët e mi ishin anëtarë të saj. Vetëm një mendje e çoroditur mund të ketë lindur ideja se unë mund të isha pjesë e persekutimit tim, familjarëve të mi dhe bashkëudhëtarëve të mi.”

Para trupit gjykues, tha se në vendbanimet shqiptare në Kosovë, regjimi serb kriminal i Millosheviçit, kreu gjenocid duke masakruar fëmijë, gra, pleq. Se veprimet që i ka bërë Serbia, e kanë shtyrë atë që të marrë vendim që të luftoj. “Ishin vendime vendimtare, në ato momente thash, ‘liri a vdekje’ dhe kurrë më në politikat gjenocidale të Serbisë”, tha ai.

Pasi përshkroi torturat që ka përjetuar nga regjimi serb, shtoi se përmbajtja e aktakuzës së ZKS-së e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe.

“Në rrugëtimin tim një gjë që nuk ka logjikë është aktakuza nga ZPS. Përmbajtja e saj më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb e Jugosllavi. Preteksi i aktakuzës u gjet në librin e Carla del Pontes dhe në raportin e Dik Martit për gjoja trafik organesh nga ana e UÇK-së. Pas hetimeve të shumta disavjeçare nga Task forcë e EULEX dhe ku ishin përfshirë ekspert të BE-së, Kanadaja e SHBA nuk u gjet asnjë provë e vetme. Një akuzim I tillë nuk është pjesë e akuzës së ZKS-së.

Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale as para, as gjatë dhe as pas luftës. Nuk kam qenë i përfshirë në vepra kriminale, as me veprim, as mos veprim as nxitje. Kam qenë dhe kam vepruar ndershmërisht për liri e bashkim kombëtar që ka qenë qëllimi im jetësor. Kam qenë dhe jam krenar për veprimtarinë time politike dhe jam ballëhapur para çdo njeriu dhe shumë i lumtur që edhe në rrethana tepër të rënda të ruaj integritetin tim njerëzor, dhe intelektual. Prandaj sinqerisht jam i qetë,” tha Jakup Krasniqi.

Tre lutjet e Krasniqit

Krasniqi e mbylli deklaratën e tij me tri lutje drejtuar trupit gjykues.

1- Mos lejoni të keqpërdoren mendime e opinionet individuale të pas luftës për kohën e luftës.

2- Mos lejoni që shënimet e mia, përshkrimet e mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale.

3- Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht.”

Sot mbahet dita e tretë e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, në rastin gjyqësor, ku përfshihen katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. /rtsh.al/

LEXO EDHE:

Back to top button