Kremlini: Lufta në Iran ka rritur kërkesën për energjinë ruse
Kremlini: Lufta në Iran ka rritur kërkesën për energjinë ruse
Kremlini zyrtar ka njoftuar të premten se lufta në Iran ka rritur ndjeshëm kërkesën për energjinë ruse në tregjet ndërkombëtare.
Deklarata u bë një ditë pasi Thesari i SHBA-së vendosi një përjashtim 30-ditor që i lejon Indisë të blejë naftë ruse.
Konflikti në Iran ka hyrë në ditën e shtatë. Për shkak të luftës, ngushtica e Hormuzit – një rrugë shumë e rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit, është pothuajse e mbyllur. Kjo ka ndikuar në furnizimin global, pasi rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë kalon përmes kësaj rruge.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ka qenë dhe mbetet një furnizues i besueshëm i naftës dhe gazit.
“Po shohim një rritje të madhe të kërkesës për burimet energjetike ruse për shkak të luftës në Iran. Rusia ka qenë dhe mbetet një furnizues i besueshëm i naftës dhe gazit”, tha Peskov.
Ai shtoi se Rusia është në gjendje të garantojë vazhdimësinë e të gjitha furnizimeve për të cilat janë nënshkruar kontrata.
Peskov nuk dha detaje për sasinë e mundshme të naftës ruse që mund të furnizohet në Indi pas vendimit të Washingtonit për përjashtimin 30-ditor. Ky vendim vjen pas muajsh presioni nga SHBA-ja ndaj Indisë që të mos blejë naftë ruse.








