fbpx

Kremlini: Mjekët gjermanë u ngutën kur thanë se Navalny u “helmua”


Kremlini ka thënë të martën se nuk ka nevojë për nisje të menjëhershme të hetimeve rreth asaj sesi është sëmurë kritiku opozitar, Aleksei Navalny – duke shtuar se ende nuk është e qartë për Moskën pse mjekët gjermanë që po trajtojnë atë, janë “ngutur” me përdorim të shprehjes helmim.

Spitali Charite që po trajton Navalnyn prej kur ai është dërguar me aeroplan në Gjermani përgjatë fundjavës, ka thënë të hënën se testet tregojnë që kritiku i Kremlinit është “helmuar”.

Spitali në Berlin ka thënë se Navalny është në kujdes intensiv dhe është ende në komë induktive.

Gjendja e tij shëndetësore “është serioze mirëpo ende ai nuk është në rrezik për jetë”, kanë thënë autoritetet shëndetësore.

Pas njoftimit të mjekëve, kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka bërë thirrje Rusisë që të hetojë dyshimet për helmim të Navalnyt dhe t’i mbajë përgjegjës ata që qëndrojnë mbrapa këtij akti.

Mirëpo zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve të hënën se klinika gjermane nuk ka identifikuar ende substancën që i ka përkeqësuar gjendjen Navalnyt.

Peskov ka thënë se ende nuk është e qartë pse mjekët gjermanë janë “ngutur” duke përmendur helmimin.

“Ne nuk e kuptojmë pse kolegët tanë gjermanë po nguten në përdorimin e shprehjes ‘helmim’”, ka thënë ai.

“Nëse substanca identifikohet dhe vërtetohet se ka qenë helmim, atëherë do të ketë arsye për hetime”, ka thënë Peskov.

Mbështetësit e Navalnyt kanë fajësuar Kremlinin dhe vetë presidentin rus, Vladimir Putin për këtë incident.

Mirëpo Peskov ka thënë se “nuk ka mundësi që akuza të tilla të jenë të vërteta”.

Navalny, 44-vjeçar, është sëmurë më 20 gusht teksa ka qenë në fluturim prej qytetit siberian, Tomsk për në Moskë.

Aeroplani ka bërë ulje emergjente në Omsk, për trajtim spitalor.

LEXO EDHE:

Back to top button