Kreshnik Bekteshit i zgjatet paraburgimi, Papazovi dhe tre të tjerë në arrest shtëpiak

Kreshnik Bekteshit i zgjatet paraburgimi, Papazovi dhe tre të tjerë në arrest shtëpiak

Gazetar: Mihajllo Donev

Paraburgimi për ish ministrin e ekonomisë Kreshnik Bekteshi është zgjatur edhe për 30 ditë pasi Gjykata e Koçanit ka pranuar kërkesën e prokurorisë. Avokati i tij, Elenko Millanov, ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit. Ndryshe nga Bekteshi, gjykata e Koçanit vendosi që paraburgimi efektiv i ish-kryetarit të komunës së Koçanit, Lupço Papazov, t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak. Përveç Papazovit, në arrest shtëpiak, me kërkesë të Prokurorisë, dërgohen edhe tre persona të tjerë, ish-drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Goran Trajkovski, një inspektor dhe një anëtar i sigurimit të diskotekës “Puls”.

“Nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake janë caktuar gjithsej 24 masa për sigurimin e pranisë– arrest, prej të cilave, pas ankesave të paraqitura nga të dyshuarit përmes mbrojtësve të tyre, masa e shqiptuar e paraburgimit u zëvendësua me arrest shtëpiak për tre të dyshuar. Në vazhdim të procedurës, pas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike në Koçan për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për katër të dyshuar, u caktua masa e arrestit shtëpiak”, njoftojnë nga Gjykata Themelore- Koçan.

Në arrest shtëpiak ndodhen edhe dy ish-kryetarët e komunës së Koçanit, Ratko Dimitrievski dhe Nikollço Ilijev si dhe ish-drejtoresha e Inspektoratit shtetëror të tregut, Aneta Simeska Dimoska. Ish-ministrat e ekonomisë, Valon Saracini dhe Bekim Neziri, gjithashtu janë në arrest shtëpiak ndërsa ndaj ambasadorit Driton Kuçi është shqiptuar masa e kujdesit. Ndërkohë, gjykata në Koçan po shqyrton edhe 12 ankesa të tjera të të dyshuarve për zëvendësimin e masës së arrestit. Nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit informuan sot se polici i dyshuar në hetim, i cili dje ishte në arrati, sot në mëngjes është paraqitur vetë pranë organeve kompetente. Bëhet fjalë për një polic të pensionuar nga Shtipi, i cili është një nga shtatë zyrtarët policorë nga Shtipi dhe Koçani që dje u arrestuan. Të gjithë ata janë të akuzuar për shkaktim të veprave të rënda kundër sigurisë publike dhe dyshohen se me veprimet e tyre kanë kontribuar që diskoteka “Puls” të pajiset në mënyrë të padrejtë me licencë për punë. Hetimi për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 62 persona, deri tani është zgjeruar në mbi 60 persona fizikë dhe tre persona juridikë, dhe po udhëhiqet nga një ekip prej 13 prokurorëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button