​Kreu i AP të NATO-s: Të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nga Rusia e Kina

​Kreu i AP të NATO-s: Të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nga Rusia e Kina

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly, ka kërkuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që së bashku me vendet euroatlantike të punojnë për të parandaluar destabilizimin e rajonit pas agresionit rus në Ukrainë.

Në videomesazhin e tij në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Connolly u shpreh se invazioni rus ka cenuar peizazhin e sigurisë në botë, ndërsa vendet demokratike duhet të qëndrojnë krah njëra-tjetrës për të kaluar edhe këtë sfidë.

Connolly: Duhet të parandalojmë destabilizimin e Ballkanit nga Rusia dhe Kina

“Me këtë agresion Rusia dëshiron që të shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe ta bëjë këtë edhe kudo. Shtetet tona duhet të qëndrojnë me njëra-tjetrën me të gjitha kombet demokratike për të luftuar këtë krim që po e bënë Rusia ndaj demokracive të tjera… Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtete euroatlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga fuqitë jo demokratike siç janë Rusia dhe Kina”, tha ai.

Ambasadori zviceran në vendin tonë, Thomas Kolly, u shpreh se fakti që Kosova po mirëpret këtë seminar për herë të dytë tregon se është e përkushtuar drejt sigurisë në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë.

Ai tha se për Zvicrën paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme.

Kolly: Për Zvicrën shumë e rëndësishme paqja në Ballkanin Perëndimor

“Diskutimet tona janë më një synim të përbashkët, promovimi i një të ardhme paqësore dhe demokratike për Ballkanin Perëndimor në kontekst të integrimit evropian të këtij rajoni… Në dritën e luftës së Rusisë në Ukrainë që është në kundërshtim me drejtën kombëtare dhe vlerat themelore, diskutimi për siguri që ka të bëjë me shqetësimet në kontinentin e Evropës është më i rëndësishëm se kurrë duke pasur parasysh sfidat aktuale të sigurisë, promovimi i standardeve demokratike dhe roli qe ka parlamenti në mbikëqyrje është jashtëzakonisht i rëndësishëm… Paqja në Ballkanin perëndimor mbete njëra nga prioritet e politikës së jashtme të Zvicrës.. kontributi i Zvicrës ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor është i shumëfishtë”, tha ai.

Sot në Prishtinë filloi punimet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, në të cilin janë paralajmëruar më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin treditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë./kp/

LEXO EDHE:

Back to top button