Kreu i LSDM-së opozitare Venko Filipçe, kërkon hetim dhe dorëheqjen e ministrave përgjegjës për zjarrin në kompaninë e mbeturinave elektronike
Kreu i LSDM-së opozitare Venko Filipçe, kërkon hetim dhe dorëheqjen e ministrave përgjegjës për zjarrin në kompaninë e mbeturinave elektronike
Gazetar: Angell Dimovski
Kreu i LSDM-së opozitare Venko Filipçe, kërkon hetim dhe dorëheqjen e ministrave përgjegjës për zjarrin në kompaninë e mbeturinave elektronike. Sipas tij, autoritetet fshehën dhe gënjyen për ajrin në Trubarevë se nuk ishte i ndotur, dhe nuk morën asnjë masë urgjente për të mbrojtur qytetarët. Ai thotë se të dhënat zyrtare për ndotjen, që u publikuan pas gjashtë ditësh treguan shifra alarmante, ndotje më shumë se 12 herë të nivelit të lejuar të kadmiumit në ajër.
“Kërkoj dorëheqje të menjëhershme nga Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Shëndetësisë, si dhe nga Drejtori Stojançe Angelov. I kërkoj prokurorisë të hapë një hetim dhe të mbajë përgjegjës të gjithë ata që kanë lejuar me mosveprimin e tyre të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Menjëherë u përgjigj VMRO-DPMNE, duke thënë se Filipçe nuk duhet të aktrojë se është i shqetësuar për shëndetin e njerëzve, dhe duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për fatkeqësitë shëndetësore, mjedisore dhe nacionale në kohën e tij.
“ Filipçe, i cili si Ministër i Shëndetësisë nuk siguroi oksigjen në spitale dhe që i linte qytetarët pa mbrojtje në kohët më të vështira, sot jep mësime mbi përgjegjësinë dhe kujdesin shëndetësor, Filipçe duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për të gjitha fatkeqësitë dhe për gjithçka që bëri në kohën e tij, për të gjitha dështimet shëndetësore, mjedisore dhe nacioale. Ku ishte Filipçe, pse nuk u përgjigj dhe nuk mori përgjegjësinë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë? Ndryshe nga e kaluara, sot institucionet reagojnë me përgjegjësi dhe hetimi do të tregojë se si ndodhi zjarri në Trubarevë“, thonë nga VMRO-DPMNE.
Deri më tani, katër persona janë akuzuar për zjarrin në Trubarevë. Gjykata i dha të dyshuarit të parë paraburgim 30 ditor, ndërsa për tre të dyshuarit e tjerë masë paraburgimi shtëpiak. Sipas prokurorisë, i dyshuari i parë, edhe pse nuk ka qenë menaxher formal (ajo ishte vajza e tij – e dyshuara e dytë), ka organizuar punën dhe ka marrë vendime. Që të dy, si bashkëkryerës, kanë grumbulluar, transportuar dhe asgjësuar në mënyrë të paligjshme mbetje elektronike të rrezikshme. I dyshuari i tretë, udhëheqës i filialit, ka vepruar sipas udhëzimeve të tij. I dyshuari i katërt ka pranuar, magazinuar, klasifikuar dhe përpunuar mbetjet jashtë objekteve të lejuara./Alsat.mk








