Kritika pse zgjodhi Kylie Jenner, Cardi B ju përgjigjet fansave


Kënga e fundit e Cardi B, në bashkëpunim me Megan Thee Stallion, “WAP”, përpos faktit që i bëri njerëzit të kërcejnë, nga ana tjetër nxiti edhe një reagim në Twitter në lidhje me prezencën e Kylie Jenner në një pjesë të këngës. Disa e cilësuan si të panevojshme, të tjerë e lidhën me faktin se familja Kardashian-Jenner është akuzuar për përvetësim kulture, ndërsa të tjerë thanë se prishi magjinë e videos. Cardi B vendosi t’u përgjigjej akuzave në një seri postimesh në Twitter, postime të cilat tashmë rezultojnë të fshira, por janë ruajtur nga faqja për njerëzit e famshëm, @PopCrave.

Një përdoruese e krahasoi paraqitjen e Kylie-t me atë të Normani-t. “Normani bëri gjithë atë [kërcim], ndërsa Kylie eci në sallë dhe hapi derën,” shkroi @DanielleYoung. “Nëse kjo nuk është një tregues i përsosur vizual sesi grave me ngjyrë u duhet të bëjnë kaq shumë ndërsa të tjerat bëjnë minimumin e tyre për të arritur diku, nuk e di se çfarë është tjetër”.

Cardi u shpreh: “Normani shtë një nga artistet më të mira dhe ajo kërcen hatashëm. Pse duhet ta hapte ajo derën? Të lutem më thuaj se ç’kuptim ka kjo? Pjesa më e bukur e këngës është beat-i që të bën të tundesh.”

Në një tjetër postim, Cardi theksoi se “jo gjithçka është për racën”. Në një tjetër postim, tha: “Pse e vendosa Kylie-n në video? Ajo e trajtoi mirë motrën dhe vajzën time në festën e ditëlindjes së vajzës së saj. Travis dhe Set [Offset, bashkëshorti i Cardi B] janë miq të mirë dhe Kris Jenner më ka dhënë disa këshilla për gjëra që e kam pyetur dhe partneri i saj ka marrëdhënie të mirë me bashkëshortin tim.”

Në video, Cardi zgjodhi të ishin të pranishme emra si: Rosalía, Rubi Rose, Sukihana dhe Mulatto, përveç Normani-t dhe Kylie Jenner.

“Doja gra të ndryshme, jo vetëm repere. Doja njerëz të ndryshëm për klipin, nga modelet e deri te influencuesit. Doja me të vërtetë që videoja të ishte seksi, e pastër dhe e këndshme. Të gjitha vajzat kanë gjëra të ndryshme të cilat më pëlqejnë. Kjo është arsyeja pse zgjodha shumëllojshmëri.” – tha ajo në një intervistë për Apple Music.

LEXO EDHE:

Back to top button