Kriza politike në Bullgari mbetet pa zgjidhje! Rruga e RMV-së drejt BE-së ende e bllokuar

Bullgaria po hyn në krizë serioze politike, ndërsa nuk është e sigurt nëse do të tejkalohet me zgjedhje të reja – të treta me radhë të parakohshme parlamentare. Pas dështimit të të gjitha partive për të formuar Qeveri të re, por edhe sipas sondazheve të fundit, del që bllokada politike në të cilën gjendet Bullgaria do të zgjasë për një kohë të gjatë. Lidhur me këtë situatë, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, sot u bëri thirrje deputetëve të fillojnë punën, sepse punonjësit dhe spitalet mund të mbeten pa para, ndërsa pensionistët pa pensione.

Nuk është aq e rëndësishme kur do të mbahen zgjedhjet, por nëse Kuvendi do të mund të mobilizohet për të përfunduar të paktën disa nga obligimet. Përgjegjësia për miratimin e buxhetit bie mbi supet e deputetëve. Besoj se ata nuk do t’i lënë punëtorët, pensionistët, spitalet, bizneset pa para”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Ajo që e ndërlikon edhe më shumë situatën politike është se në Bullgari janë shpallur zgjedhjet presidenciale, ndërsa Radevi thotë se është kundër kushtetues të votohet së bashku në të njëjtën ditë edhe në zgjedhjet parlamentare edhe presidenciale. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar më 14 nëntor.

Duhet të kemi parasysh se kriza po thellohet, do të duhet t’i thërrasim qytetarët për të votuar tre javë me radhë dhe kjo lidhet me shpenzimin e parave dhe kohës. Administrata zgjedhore gjithashtu do të jetë e mbingarkuar. Në çdo rast, do të përpiqen të gjejnë zgjidhje racionale”, theksoi Rumen Radev, president i Bullgarisë.

Sipas mediave, Radevi ka dy opsione – ose t’i shpallë zgjedhjet parlamentare më 7 nëntor, një javë para atyre presidenciale ose një javë pas zgjedhjeve presidenciale. Sondazhi i fundit tregon rritje të besimit të Gerb dhe Borisov dhe rënie më të madhe te Sllavi Trifonov dhe partia “Ka popull të tillë”. Megjithatë, cilindo opsion që e zgjedh Radev, kjo do të thotë që Bullgaria vështirë se mund të formojë qeveri deri në fund të vitit, gjë që e zvarrit deri në kohë të pacaktuar çeljen e negociatave me Maqedoninë.

ALSAT

LEXO EDHE:

Back to top button