Kryesia e re e BDI-së mblidhet të shtunën, do të kërkohet llogaridhënie nga ministrat

Kryesia e re e BDI-së mblidhet të shtunën, do të kërkohet llogaridhënie nga ministrat

Gazetar: Adrian Kerimi

Të shtunën organet e reja të BDI-së do të mblidhen për herë të parë pas themelimit më 15 tetor për të kërkuar llogaridhënien nga zv.kryeministri, ministrat dhe zv.ministrat nga radhët e BDI-së. Jo zyrtarisht mësohet se çdo ministër është duke përgatitur raport për punën e tij dhe zbatimin e programit Qeverisës dhe të partisë. Nuk dihet nëse raportet, ministrat do t’i dërgojnë për shqyrtimin zëvendëskryeministrit, Artan Grubi ose do të referohen drejtpërdrejtë në mbledhjen e llogaridhënies më 29 tetor.

Llogaridhënia e zyrtarëve ishte njëra ndër kërkesat kyçe e grupit të zjarrit, të cilët në shkresën e tyre përveç themelimit të organeve të partisë, potencuan edhe nevojën e moszbatimit të projekteve jetike për shqiptarët, çalimin e investimeve kapitale në zonat shqiptare dhe moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Ndonëse nga BDI nuk është thënë zyrtarisht, grupi i zjarrit tashmë i strukturuar në organet e partisë kërkon që llogaridhënia të ketë edhe përgjegjësi, respektivisht rikonstruim të ministrave të cilët nuk kanë punuar në përputhje me programin Qeverisës dhe partiak.

“Unë kam qenë vetë ministër dhe nëse mbesin në klasë jo gjeneratë do të jetë përparësi për BDI-në dhe për shqiptarët sepse këto nuk kanë dashur të konfrontohen me njëri-tjetrin për të pasur një konkurrencë pozitive, por e dëgjuar atë të parin i cili i ka drejtuar me shkop. Mendoni për zotin Grubi? Po”, deklaroi kohë më parë Musa Xhaferi, BDI.

Pavarësisht kërkesave nga grupi i zjarrit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në paraqitjet e tij të fundit ka deklaruar se është i kënaqur nga përfaqësimi i BDI-së në ekzekutiv, ndërsa eksponent të këtij subjekti kanë potencuar se edhe po të ketë rikonstruim të kabinetit Qeveritar, ministrat dhe kuadrot e BDI-së nuk do të preken nga një proces i tillë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button