“Rritja ekonomike”, Kovaçevski nuk komenton parashikimet e Bankës Botërore

“Rritja ekonomike”, Kovaçevski nuk komenton parashikimet e Bankës Botërore

Gazetare: Ajnur Bafqari

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk komentoi raportin e Bankës Botërore ku theksohet se Maqedonia e Veriut këtë vit do të ketë rritjen më të dobët ekonomike në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai u fokusua tek rekomandimet për masat antikrizë, duke nënvizuar se ato janë absolutisht të targetuara.

“Raporti i bankës botërore jep disa porosi të rëndësishme, e ajo është se shteti ynë ka mbështetje më të fortë lidhur me ballafaqimin me krizën, pra pakot e masave që nga fillimi i vitit i kemi bërë fillimisht 400 milionë euro dhe tash 360 milionë euro, janë mbështetja më e madhe në rajon, kjo është numër një. Numër dy me uljen e shkallës së rritjes gjithandej dhe me rritjen e inflacionit gjithandej, rekomandimi i Bankës Botërore megjithatë edhe rekomandimet e institucioneve tjera financiare është që masat antikrizë të jenë të targetuara, që nëse i shihni masat tona antikrizë që i miratuam gjatë periudhës së kaluar, ato janë absolutisht të targetuara….”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, për vendet e Ballkanit Perëndimor, thuhet se Maqedonia do të ketë rritjen më të dobët ekonomike këtë vit krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ekonomia e vendit do të rritet me vetëm 2,1 për qind. Sipas raportit, Mali i Zi do të jetë lider me rritje gati 7 për qind, ndërsa lëvizjet ekonomike janë solide edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia, Shqipëria dhe Kosova do të kenë rritje prej mbi 3 për qind.
Banka Botërore pret që inflacioni të ulet në periudhën e ardhshme, ndërsa theksohet se nuk pritet që Maqedonia të hyjë në recesion. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button