Kryetari i ASHAM, Kocarev, dezinformon se “populli maqedonas u zhduk plotësisht nga skena ndërkombëtare”

Kryetari i ASHAM, Kocarev, dezinformon se “populli maqedonas u zhduk plotësisht nga skena ndërkombëtare”

Ekspozojmë dezinformata të reja nga kryetari ASHAM-it, Lupço Kocarev, për zhdukjen e popullit maqedonas. Ja çfarë tha ai në Kuvendin vjetor të Akademisë:  “Deri më 16 qershor 2018, për më shumë se 130 vende dhe për gati 80 për qind të banorëve të planetit Tokë, ne ishim maqedonas që jetonim në Republikën e Maqedonisë, e që më 17 qershor, një ditë më vonë, populli maqedonas u zhduk plotësisht nga skena ndërkombëtare”.

Më 22.02.2023, disa media e publikuan këtë pohim të Kocarevit. Por, a është e vërtetë se “populli maqedonas u zhduk plotësisht nga skena ndërkombëtare” më 17 qershor 2018, pasi u nënshkrua “Marrëveshja e Prespës”, ​​siç pretendon kryetari i ASHAM-it?

Faktet flasin të kundërtën nga pretendimet e Kocarevit. Mjafton të shihet neni 7 i Marrëveshjes së Prespës, për të vërtetuar se shprehja “maqedonas/e” vazhdon të përdoret si për gjuhën, ashtu edhe për popullin.

Gjithashtu, edhe në amendamentet kushtetuese të miratuara pas Marrëveshjes së Prespës, nuk ka fare ndryshime në përdorimin e shprehjes “popull maqedonas”. “Populli maqedonas” mbeti në Kushtetutë, e përmendet edhe në amendamentet, si edhe shprehja “gjuhë maqedonase”.

Edhe rezultatet e Regjistrimit të vitit 2021 konfirmuan se populli maqedonas nuk është zhdukur dhe se maqedonasit etnikë janë shumicë në Maqedoninë e Veriut.

Prandaj, është i pabazë dhe joserioz pohimi i Kocarevit se “populli maqedonas u zhduk plotësisht nga skena ndërkombëtare” më 17 qershor 2018, kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës.

Përndryshe, emisioni Poligraf veçmë vërtetoi se “janë të pavërteta pretendimet e kryetarit të ASHAM-it se “maqedonasit janë në prag të shfarosjes” dhe “Maqedonasit janë zhdukur që sot!”, të cilat Kocarev i deklaronte në shtator dhe tetor të vitit 2022.

Prandaj, deklaratat aktuale dhe ato të mëparshme të Kocarevit për zhdukjen e popullit maqedonas dhe maqedonasve i vlerësojmë si dezinformata. Deklaratat e tilla janë të dëmshme, sepse shkaktojnë frikë dhe rrezik të pajustifikuar te maqedonasit etnikë dhe ndezin pasione dhe tensione nacionaliste.

LEXO EDHE:

Back to top button