Kryetari i Ohrit i infektuar me COVID 19, ka shkuar në festë dhe ka takuar shumë njerëz

Kryetari i Ohrit i infektuar me COVID 19, ka shkuar në festë dhe ka takuar shumë njerëz

Gazetar: Miki Trajkovski

Kryetari i komunës së Ohrit, Kiril Pecakov në mëngjes ishte testuar dhe menjëherë kishte shkuar për të festuar Ditën e Ujit të Bekuar. Aty ai takoi zyrtarë, ambasadorë e shumë qytetarë. Thotë se nuk e ka ditur se është pozitiv, pasi testin PCR e kishte bërë për të udhëtuar në Bansko të Bullgarisë. Pecakov për Alsat tha se pavarësisht se testi i dytë PCR që ka bërë ka rezultuar negativ, ai do të qëndrojë në izolim deri të premten, më 28 janar.

“Vendimi i parë ka qenë i vlefshëm, edhe pse 30 orë pas kësaj kam test negativ. Kështu që jam ende në shtëpi”, ka thënë Kiril Pecakov-Kryetar i Ohrit.

Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Irina Buhova, tha për Alsat se me një dekret të posaçëm të Qeverisë, i miratuar më 22 prill 2020, me fuqinë e ligjit detyrohet vetëizolimi, në pritje të rezultatit të testit. Kryetari i komunës nuk e bëri këtë, por mori pjesë në manifestimin në Ohër për festën e Ujit të Bekuar.

“…Vetëizolimi kthehet në izolim në shtëpi, në momentin kur personi merr testin pozitiv. Si e shihni atë moment, që mijëra qytetarë morën pjesë në atë ngjarje? Madje ka pasur një takim me shumë qytetarë, zyrtarë, ambasadorë? Nuk mund ta komentoj. Kjo është sjellja e tij. Unë mund të shpjegoj vetëm dekretin e Qeverisë”, tha Irina Buhova-Drejtoreshë e Fondit Shtetëror të Sigurimeve Shëndetësore.

Në festën e Ujit të Bekuar, Pecakov ishte i shoqëruar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deputetë dhe pati një takim me ambasadorin e BE-së, Dejvid Gir.

Në situatë të ngjashme po kalon edhe sekretari i komunës, Aleksandar Kiteski, i cili po ashtu ka marrë rezultat pozitiv e më pas negativ për Kovid. Edhe ai është dashur të shkonte në Bansko së bashku me Pecakovin./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button