KSHZ-ja pret vendimin për terminalet e votimit, Dashtevski: Të zgjedhim specifikat e pajisjeve
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që i hapën rrugë përdorimit të terminaleve për shenjat e gishtave në zgjedhje pritet të fillojnë të zbatohen në praktikë. KSHZ-ja pret vendimin e Ministrisë së Financave që të mundet të hapë dialogun për të specifikuar se çfarë pajisjesh konkretisht do të sigurojë. Kryetari i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski thotë për Alsat se deri në marrjen e këtij vendimi nga Financat, ky institucion s’mund të ndërmarrë asnjë hap normativ.
Kur ta marrim vendimin, tashmë do të kemi disa gjëra të gatshme. Ky është dokumentacioni teknik për hapjen e dialogut teknik të cilën e kemi bërë me organizatën ndërkombëtare për sisteme zgjedhore IFES. Është bërë në mënyrë profesionale dhe do të na ndihmojë që menjëherë ta hapim dialogun teknik dhe ta përgatisim specifikimin teknik për hapjen e tenderit – tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Dashtevski thotë se në këtë rast nuk u shërbejnë as përvojat e vendeve fqinje sepse secili vend i ka karakteriskat e tij. KSHZ-ja do të sigurojë 4 mijë aparate për detektimin e shenjave të gishtave gjatë të ashtuquajturit votim biometrik në 3480 vendvotime. Për të funksionuar, këto pajisje do të kenë nevojë vetëm për rrymë dhe jo për internet. Kjo e bën më pak të mundur bllokimin ose daljen eventuale të tyre nga funksioni gjatë ditës së votimit. Por nëse ka raste të këtilla, aparati jofunksional do të zëvendësohet me pajisje rezervë.
Interneti nuk ka lidhje me pajisjet. Ata do të mbushen dhe pasi të mbushen, të dhënat do t’i kërkojë vetë aparati prandaj nuk ka nevojë për internet. Nëse aparati nuk e gjen njeriun, dhe ai nuk ka votuar ndërkohë, ai ka të drejtë të vendosë shenjat e gishtave në listën zgjedhore ku ka hapësirë për shenjat e gishtave, që t’i mundësohet votimi – tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Procedura e furnizimit publik merr kohë dhe do të zgjasë disa muaj. Votimi biometrik gjatë të cilit me aparat të posaçëm do të identifikohen votuesit, pritet të ulë rastet e keqpërdorimeve zgjedhore si votimi i dyfishtë ose shumëfishtë dhe votimi në emër të dikujt tjetër.
Fatlume Dervishi








