KSI, nesër vendim për testimin e shoferëve të kamionëve
Nesër Komisioni për sëmundje ngjitëse do të marr vendim nëse transportuesit që nuk janë të vaksinuar do të duhet nga 1 shtatori të bëjnë test PCR për hyrje në Maqedoni. Nga shoqata “Makam Trans” reaguan ndaj kësaj mase të Qeverisë. Kryetarja e shoqatës Biljana Muratovska thotë se qëndrojnë në kërkesën që vozitësit profesional të automjeteve motorike transportuese të përjashtohen nga kjo masë, që mos të ketë ngecje të mallrave e me këtë edhe goditje ndaj ekonomisë.
“Bazuar në analizë të bërë në vendet ku transportuesit kanë hyrë më parë me PCR test, në Gjermani, Bavari apo Greqi, kjo tregon se 0.1 përqind kishin teste pozitive te shoferët. Fakt është se janë të izoluar, edhe nëse kanë dikë me raste asimptomatike, ata nuk mund të infektojnë askënd sepse sipas protokollit gjatë lëvizjes së tyre ata janë vazhdimisht në kamionë.”- deklaroi Biljana Muratovska – Kryetare e Makam-trans.
Nga shoqata për Alsat thonë se ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski, para tyre është shprehur se pas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë, do të merret vendimi përfundimtarë. Nëse qeveria nesër sjell vendim negativ për ta, transportuesit do të duhet të jenë negativë në testet, të vaksinuar ose ta kenë tejkaluar virusin në 45 ditët e fundit, atëherë biznesi i tyre do të goditet në mënyrë shtesë, ndërsa shpërndarja e mallrave me siguri do të vonohet. Në goditje do të jenë lëndët e para, ilaçet, nafta dhe mallrat e konsumit të gjerë. Për më tepër, shoferët thonë se gjatë pandemisë përballen me furnizim të reduktuar të mallrave, por edhe rritje të konkurrencës nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ile Petrevski








