Kuçuk kërkon konsensus për ndryshimet kushtetuese

Kuçuk kërkon konsensus për ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Luka Andreev

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk në intervistë për mediat bullgare tha se nuk ka kushte shtesë në rrugën drejt BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe porositi se është e nevojshme të miratohen ndryshimet kushtetuese për të filluar negociatat faktike për anëtarësim. Sipas deputetit evropian, është e nevojshme të fillojë debati i vështirë për ndryshimet kushtetuese dhe të gjendet konsensus shoqëror dhe marrëveshje politike. Kuçuk shtoi se i është lënë kohë e mjaftueshme qeverisë dhe opozitës për të nisur debatin.

“Mund të ketë debate të vështira për buxhetin, për politikën sociale, mund të kontestohet rendi i ditës në Kuvendin e Maqedonisë, por kur bëhet fjalë për qëllime strategjike, siç është anëtarësimi në NATO dhe BE, duhet të ketë unifikim, që fatkeqësisht nuk e shoh. Po luhet lojë me frikë në shoqërinë maqedonase, por jo, askush nuk vendos kushte shtesë,” tha Ilhan Kuçuk – deputet evropian.

Kuçuk thotë se elita politike maqedonase është para dilemës nëse do të vazhdojë në rrugën drejt BE-së dhe do të zbatojë reforma shoqërore dhe sociale ose do të përfshihet në grupin e vendeve që nuk kanë perspektivë të qartë evropiane. Ai tha se ekziston rrezik real që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e integrimit evropian, pa Maqedoninë.

“Këtu në grup përfshihen Shqipëria dhe Mali i Zi, dhe nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut do të mbetet në grup me Serbinë, Kosovën dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, vendet që kanë çështje të vështira dypalëshe, vende që zgjidhin problemet e krijuara nga luftërat në të kaluarën e fundit dhe Maqedonia e Veriut do të bashkohet me këtë grup,” deklaroi Ilhan Kuçuk – deputet evropian.

Ai gjithashtu shtoi se është e mundur që edhe Ukraina të fillojë negociatat e anëtarësimit para Maqedonisë nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese. Sipas Kuçuk, shembulli i Maqedonisë nuk mund të krahasohet as me Turqinë, sepse Turqia të paktën ka hapur kapituj negociues, ndryshe nga Maqedonia e cila mund të bllokojë rrugën e saj drejt BE-së vetëm me proces skriningu të përfunduar. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button