Kujdes! Rregulla të reja / Çfarë do të bëjë WeTransfer me përmbajtjen tonë?
Pas reagimeve të përdoruesve, WeTransfer tërhoqi një klauzolë të diskutueshme që i lejonte asaj të trajnonte inteligjencën artificiale në skedarët e përdoruesve.
Platforma e njohur e ndarjes së skedarëve, WeTransfer, duket se është përpjekur të ndryshojë Kushtet e Shërbimit për t’i dhënë vetes të drejtën të përdorë skedarët e ndarë nga përdoruesit e saj për të trajnuar inteligjencën artificiale.
Pas një proteste të fortë nga përdoruesit në të gjithë botën, klauzola kontroverse u tërhoq shpejt, me kompaninë që pretendonte se kjo ishte bërë në mënyrë që ndryshimet të mos shkaktonin “konfuzion”.
Në versionin që u përditësua pa u vënë re në fillim të korrikut dhe ishte planifikuar të hynte në fuqi në gusht, klauzola 6.3 e Kushteve të Shërbimit thoshte:
“Me anë të kësaj, ju na jepni një licencë të përhershme, globale, jo-ekskluzive, pa pagesë për të drejtat e autorit, të transferueshme dhe të nënlicensueshme për të përdorur përmbajtjen tuaj për qëllime të operimit, zhvillimit, komercializimit dhe përmirësimit të Shërbimit ose teknologjive dhe shërbimeve të reja, duke përfshirë përmirësimin e performancës së modeleve të të mësuarit automatik që përmirësojnë procesin tonë të moderimit të përmbajtjes, në përputhje me Politikën e Privatësisë dhe të Cookie-ve.”
Me fjalë të tjera, çdo skedar i ndarë nëpërmjet WeTransfer mund të përfundonte si material trajnimi për një sistem inteligjence artificiale — qoftë i palës së parë apo i palës së tretë. Licenca përfshinte gjithashtu “të drejtën për të riprodhuar, shpërndarë, modifikuar, përdorur si bazë për vepra të reja, për të transmetuar, shfaqur publikisht dhe për të interpretuar përmbajtjen” — të gjitha pa njoftim paraprak dhe pa asnjë kompensim.
Pati një reagim të fortë nga përdoruesit, përfshirë artistë të pavarur nga e gjithë bota që përdorin WeTransfer për të dërguar skedarë të mëdhenj si pamje filmike ose muzikë. Përmes mediave sociale, përdoruesit u përpoqën jo vetëm të nxirrnin në pah problemin, por gjithashtu u zotuan publikisht se do të ndalonin së paguari dhe së përdoruri platformën.
Rezistenca që ata ofruan nuk kaloi pa reagim, kështu që WeTransfer shpejt e ndryshoi klauzolën kontroverse, e cila tani thotë:
“Me anë të kësaj, ju na jepni një licencë falas për të përdorur përmbajtjen tuaj për qëllime të funksionimit, zhvillimit dhe përmirësimit të shërbimit, të gjitha në përputhje me Politikën tonë të Privatësisë dhe të Cookies.”
Kompania i tha BBC-së se klauzola u ndryshua sepse, thonë ata, “mund të kishte shkaktuar konfuzion për përdoruesit”. Ata shtuan se nuk përdorin inteligjencë artificiale për të përpunuar përmbajtjen dhe se nuk ua shesin përmbajtjen palëve të treta.
Holandezi Ronald Hans, një nga themeluesit e platformës WeTransfer, njoftoi ndryshimet në Kushtet e Shërbimit dhe fajësoi pronarin e ri.
“Fatkeqësisht, kjo është natyra e sistemit në të cilin WeTransfer është tani pjesë. Bending Spoons, e cila bleu kompaninë, po përgatitet të dalë në bursë dhe një strategji e inteligjencës artificiale është e nevojshme për të rritur vlerën e tregut”, tha Hans në një intervistë me NRC, duke shtuar: “Është një lojë numrash. Nuk ka të bëjë me kreativitetin apo njerëzit. Shkatërron plotësisht atë që po përpiqesha të arrija kur – disi naivisht – fillova WeTransfer.”
Bending Spoons i tha NRC-së se nuk e njihte imazhin që po portretizonte Hans. Shtoi se nuk kishte plane të dilte në publik, nuk kishte shitur kurrë përmbajtje përdoruesish dhe “nuk do ta përdorte kurrë inteligjencën artificiale vetëm për të kënaqur investitorët”.
WeTransfer u themelua në vitin 2009 nga Ronald Hans, Bas Behrens dhe Rinke Wieser. Hans u largua nga kompania në vitin 2018 dhe katër vjet më vonë ajo iu shit investitorit italian Bending Spoons.







