Çfarë do të thotë euro dixhitale për qytetarët?
Parlamenti Evropian dhe qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian po hyjnë në fazën përfundimtare të negociatave për futjen e euros dixhitale – një formë e re elektronike parash që do të lëshohet nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), raportoi Euronews.
Sistemi i ri do të lejojë pagesat si online ashtu edhe offline, dhe Banka Qendrore Evropiane siguron se do të ofrojë një nivel të lartë mbrojtjeje të privatësisë, pasi nuk do të jetë në gjendje të identifikojë drejtpërdrejt përdoruesit përmes transaksioneve të tyre.
Infrastruktura bazë do të sigurohet nga BQE-ja, ndërsa bankat tregtare dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave do të jenë përgjegjës për ofrimin e euros dixhitale për qytetarët dhe kompanitë. Sfida më e madhe në negociatat e ardhshme do të jetë të bien dakord për një model kompensimi për bankat dhe institucionet e pagesave, pra kush do t’i mbajë kostot dhe si do të shpërndahen tarifat në sistem.
Përveç kësaj, do të diskutohet shuma e tarifave që tregtarët do të paguajnë, me qëllim që ato të jenë më të ulëta se kostot aktuale për pagesa me karta bankare. Sipas Euronews, pjesa më intensive e negociatave pritet gjatë vjeshtës dhe marrëveshja përfundimtare mund të arrihet deri në fund të këtij viti.
Nëse procesi ecën sipas dinamikës së planifikuar, projekti pilot për euron dixhitale duhet të fillojë në vitin 2027, ndërsa zbatimi i tij më i gjerë për pagesat e përditshme me pakicë pritet në vitin 2029.






