Kumanovë/ Fermerët dhe bujqit s’kanë energji elektrike

Kumanovë/ Fermerët dhe bujqit s'kanë energji elektrike

Gazetar: Mefail Ismaili

Disa fermerë dhe bujq të Kumanovës të cilët kanë tokat në zonën e quajtur “Çeshmja e Farushit” për 20 vite me radhë vuajnë mungesën për energji elektrike. Edhe pse burim të vetëm të jetës e kanë bujqësinë dhe blegtorinë, ata thonë se shtylla e fundit e energjisë elektrike është rreth 500 metra larg fermave dhe tokave të tyre, por institucionet, sipas tyre, nuk i kanë marrë asnjëherë parasysh kërkesat e tyre, ndërsa nga kryetari i Komunës janë neglizhuar tërësisht.

“Neve nuk na përfill as kryetari i Komunës, as ministri i Bujqësisë, as kryeministri… Jam i evidentuar si bujk, si blegtor fizik, i kam të gjitha lopët me dokumentacion siç duhet. E kam legalizuar edhe objektin. Çfarë kanë kërkuar ia kam çuar. Kam bërë kërkesë në EVN ma kanë refuzuar, kam dërguar kërkesë edhe në Komisionin rregullator për energjetikë edhe ata e kanë refuzuar për shkak se nuk ka plan urbanistik. Ndërsa unë objektin e kam të legalizuar… Kisha apeluar njëherë tek kryeministri Kovaçevski, pastaj tek ministri i Bujqësisë se si ja merr mendja që një blegtor të merret me blegtori e të mos ketë kushte për punë…”, tha Bajram Ferati, fermer.

Bujqit dhe blegtorët e kësaj zone thonë institucionet vazhdimisht arsyetohen se nuk mund të dërgojnë përçuesit elektrik në këtë pjesë pasi ende nuk është e urbanizuar.

“E kemi objektin të ndërtuar, rrymë nuk kemi, bahçen e kemi, a nuk kemi me çka me i ujit sepse agregatet po prishen…. kam 2500 metra vend dhe dëshiroj të çel fermë të pulave, por si ta bien rrymën mund të bëjmë diçka, nëse nuk ka rrym nuk ka asgjë”, shtoi një Bujk i zonës.

“Nëse bëhet sjellja e korrenti këtu, atëherë do të jetë shumë atraktive për të gjithë tjerët të cilët do duan të bëjnë kultivim edhe bimë por edhe kafshë… un besoj se këtu janë më së paku 20 familje që kanë nevojë, shumica kanë hapur edhe puse të ujit por ma rrymë nuk mund të nxjerrin edhe ujin”, shtoi Selajdin Destani, bujk i zonës.

Rrymë nuk kanë edhe shtëpitë e ndërtuari së fundmi në këtë pjesë të qytetit, edhe pse siç thonë shtyllat e energjisë elektrike i kanë shumë pranë.

“Pa rrymë asgjë nuk mund të bëjmë. 1 vjet e gjysmë që e kam ndërtuar këtë shtëpi, rrymë nuk kemi, a kemi nevojë për rrymë… Premtime plot kanë dhënë por rrymë nuk kemi… verës këtu rri më shumë, dimrit nuk mund të ndalim edhe rruga nuk bën… pa rrymë si ja kaloni? Me agregat dhe sollarët që bëjnë pak dritë”, deklaroi Beadin Kurtishi Banor i Kumanovës.

Nga Komuna e Kumanovës, kryetari Maksim Dimitrievski ka thënë për Alsat se Komuna nuk ka kompetenca për energjinë elektrike. Ai ka shtuat se nëse dikush ndërton objekt në sipërfaqe bujqësore për veprimtari bujqësore, duhet që në ministrinë e Bujqësisë të merr dokument për ndërtimin e objekteve ndihmuese dhe ato me dokumente ti dorëzon kërkesë EVN-së prej ku marrin leje për lidhje me energji elektrike./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button