Kupa e Italisë/ Frosinone eliminon Napolin dhe kalon në çerekfinale
Frosinone është surpriza më e bukur e Kupës së Italisë, me skuadrën e Di Françesco-s që triumfoi bindshëm 0-4 ndaj Napolit duke prekur kështu për herë të parë në historinë e saj fazën çerekfinale të këtij kompeticioni. Në “Diego Armando Maradona”, Napoli u nis si skuadra favorite për të avancuar më tej, teksa gjeti edhe avantazhin në minutën e 37’, por goli i Simeone-s u anulua nga VAR, për një prekje të topit me dorë.
Në fraksionin e dytë, Frosinone u shfaq kërcënuese dhe cinike, duke gjetur rrjetën në rastet e krijuara. Barrenechea i surprizoi të gjithë, me argjentinasin që realizoi në minutën e 65’ duke kaluar Frosinone-n në avantazh. Një moment që ndryshoi humorin e vendasve dhe Napoli nuk arriti të reagonte, teksa në krahun tjetër të besuarit e Di Françesco-s shfrytëzuan momentin e mirë dhe realizuan edhe golin e dytë me anë të Caso-s në minutën e 70’.
Skuadra e Mazzarri-t provoi të rihapte ndeshjes, por as Kvaratskhelia e as Osimhen nuk mjaftuan që të ndryshonin fatet e kësaj sfide, ndërsa Frosinone realizoi edhe dy herë të tjera në kohën shtesë duke thelluar akoma edhe më shumë avantazhin. Kedira shënoi golin e tretë në minutën e parë të shtesës, teksa katër minuta më pas, Harroui realizoi golin e katërt duke mbyllur përfundimisht llogaritë e mbrëmjes.
Frosinone regjistron një fitore të madhe, pasi triumfon për herë të parë në histori ndaj napoletanëve dhe tani do të kërkojë të shkruaj përsëri historinë, ndërsa do të presë fituesin e çiftit Juventus-Salernitana për të mësuar kundërshtarin e saj në fazën çerkfinale.








