Kur kërkoni në Google për shëndetësi: Ja kush u përgjigjet më shpesh pyetjeve tuaja të rëndësishme
Një studim i ri tregon se funksioni i kërkimit në Google i quajtur "AI Overviews" (Përmbledhje e IA-së) citon YouTube më shumë se çdo faqe tjetër interneti mjekësore kur përgjigjet në pyetje rreth gjendjeve shëndetësore.
Google ka thënë se përgjigjet e inteligjencës artificiale që shfaqen në krye të rezultateve të kërkimit dhe përdorin inteligjencën artificiale gjeneruese për t’iu përgjigjur pyetjeve të përdoruesve janë “të besueshme” dhe citojnë burime mjekësore me reputacion të mirë, siç janë Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Klinika Mayo, raporton sot The Guardian.
Një studim që analizoi përgjigjet e më shumë se 50,000 pyetjeve shëndetësore të marra përmes kërkimeve në Google nga Berlini, zbuloi megjithatë se burimi më i cituar ishte YouTube.
Kjo platformë për ndarjen e videove është faqja e dytë më e vizituar në botë, menjëherë pas vetë Google, dhe është në pronësi të kompanisë Google.
Studiuesit në SE Ranking, një platformë optimizimi për motorët e kërkimit, zbuluan se YouTube ishte burimi për 4.43 përqind të të gjitha përgjigjeve të ofruara nga AI Overviews. Asnjë rrjet tjetër spitalor, portal shtetëror shëndetësor, shoqatë mjekësore apo institucion akademik nuk iu afrua këtij numri, thanë studiuesit e platformës.
“Kjo është e rëndësishme sepse YouTube nuk është botues i përmbajtjes mjekësore”, theksojnë studiuesit, duke shtuar se është një platformë videoje me qëllim të përgjithshëm.
Ata deklarojnë se kushdo mund të postojë përmbajtje atje – nga mjekë të çertifikuar te influencues dhe njerëz pa ndonjë trajnim mjekësor.

Google deklaron se AI Overviews është projektuar për të shfaqur përmbajtje me cilësi të lartë nga burime me reputacion të mirë, pavarësisht formatit, dhe se një sërë institucionesh shëndetësore të besueshme dhe ekspertësh mjekësorë të licencuar kanë krijuar përmbajtje në YouTube.
Siç u tha, rezultatet e studimit nuk mund të zbatohen plotësisht në rajone të tjera, pasi ai u krye duke përdorur pyetje në gjermanisht në Gjermani.








