Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

Liderët e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel. Ata janë ftuar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të nisë në orën 8:00.

Ata do të priten në takime të ndara nga Borrelli, dhe më pas pritet takimi i përbashkët.

Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të çtensionuar situatën.

“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Tëitter.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë të shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.

Borrell do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza e tashme dhe shmangia nga eskalimi i mëtejmë i tensioneve në terren, me theks targat e veturave dhe kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Shtetet e Bashkuara thanë një ditë para takimit se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave, dhe se “në mënyrë aktive po i mbështesim këto përpjekje”.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.

LEXO EDHE:

Back to top button