Kurti: Ka të arrestuar, Policia po zhvillon hetime dhe bastisje
Kurti: Ka të arrestuar, Policia po zhvillon hetime dhe bastisje
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se lidhur me sulmin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc ka të arrestuar.
Kurti vizitoi fshatin Varagë të Zubin Potokut së bashku me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.
Gazetarja e Telegrafit, Blinera Mehmeti ndodhet në vendin e ngjarje dhe nga atje ka sjell pamje edhe të pranisë së forcave të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
“…Erdhëm që ta shohim në vendin e ngjarjes dëmin e jashtëzakonshëm që na është shkaktuar mbrëmë nga ky sulm terrorist e kriminal që ka dëmtuar infrastrukturën kritike meqenëse e ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminal e terrorist do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Ai tha se duke ju falënderuar punës vetëmohuese të policëve, të inxhinierëve, ekspertëve dhe punëtorëve është arritur deri diku të sanohet dëmi.
“Është arritur deri diku të sanohet dëmi…. ndonëse deri diku se hiq më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit është nëpërmjet kanalit Ibër Lepenc i cili e bën edhe ftohjen e termocentraleve në Obliiq dhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave”, tha ai.
Kurtit tutje tha se ky është sulmi i tretë dhe janë kryer nga profesionistë, transmeton Telegrafi.
“Unë e pash vendin e ngjarjes dhe nuk ka mundësi që të bëjë një ose dy individë, ose qytetarët të zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulmet e tilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin e interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, tha Kurti.
Ai tha se vitin e kaluar Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën Veriore.
“Këto organizata, sidomos Mbrojtja Civile janë në listë të rrogave në Serbi. Prandaj edhe ne e mbajmë Serbinë përgjegjëse për këtë…”, tha ai.
Kryeministri i vendit e përmendi edhe sulmin e Rusisë në Ukrainë, duke dëmtuar infrastrukturën kritike dhe një e gjë e tillë siç tha ai po synohet edhe këtu nga Serbia.
Kurti tutje tha se falënderon faktorin ndërkombëtar, ambasadorin amerikan, gjerman, francez, britanik, italian etj për bashkërendimin që kanë pasur gjatë natës dhe mbështetjen për Kosovën.
“Policia në Kosovës nuk është kundër serbëve, por Serbia është kundër Kosovës dhe ajo financon, orkestron, mbështet dhe dirigjon grupet kriminale që i ka në listë të rrogave.. prandaj e bëjmë fajtor Serbinë për këtë…
Dhe kërkojmë nga faktorët ndërkombëtar, sidomos nga Uashingtoni e Brukseli që të dënojnë Beogradin dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre… Nuk është e rastësishme heshtja e presidentit të Serbisë… Ky ishte sulmi i tretë në 72 orë, urojmë të jetë i fundit…”, tha Kurti./telegrafi