Kurti: Serbia nuk ishte konstruktive në dialog

Kurti: Serbia nuk ishte konstruktive në dialog

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për herë të parë lidhur me takimin e 18 gushtit që e kishte në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas Kurtit, në takimin e Brukselit, sipas agjendës së dakorduar më herët, ka qenë e paraparë që të diskutohet korniza e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë si dhe çështjet aktuale. Për pikën e parë, Kurti tha se kanë dërguar propozim me gjashtë kapituj për mënyrën se si pala kosovare mendon se duhet të duket marrëveshja e përgjithshme për normalizim të marrëveshjeve. Në këto pika, sipas tij kërkohet dakordimi për njohje reciproke, ballafaqim me të kaluarën, bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes dy shteteve, trajtimin e pakicave etnike përkatëse në dy shtetet, etj.

Kurti edhe një herë u tregua i prerë se targat KS nuk mund të rikthehen në qarkullim. Ai u shpreh i bindur që pala serbe, “panevojshëm dhe krejt artificialisht” është duke eskaluar, si retorikën, ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë. Ai tha se qytetarët, të cilët i mbështesin “vendimet legjitime të Republikës së Kosovës, po kërcënohen vazhdimisht”. Kërcënimet me largimin eventual të qytetarëve të minoritetit serb nga institucionet e Kosovës, sipas Kurtit, përbëjnë “dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radoiçiqi, e jo të atyre që integrimin e shohin si opsionin primar”.

“Unë besoj fuqishëm që përfaqësuesit e qytetarëve serbë më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar, dhe që kanë arritur deri në listën e zezë të SHBA-së”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se Kosova ofroi trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancitë përkatëse si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi. Lidhur me këtë, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi deklaron se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë në jetën e qytetarëve të Luginës.

“S’ka asnjë arsye që serbët në Kosovë të kenë më shumë liri, më shumë të drejta dhe më shumë barazi se sa shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk ka asnjë arsyeje që t’i mohohet kjo shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përderisa mund të arrihet një marrëveshje”, theksoi Ragmi Mustafa, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Në Kosovë po qëndrojnë emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak. Pas takimeve në Prishtinë, dy emisarët udhëtojnë për ne Beograd. Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit. Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimit të targave./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button