Kurti takon Kadaren, diskutojnë për letërsi, histori e kulturën shqiptare

Kurti takon Kadaren, diskutojnë për letërsi, histori e kulturën shqiptare

Kryeministri Albin Kurti të martën ka pritur në takim shkrimtarin e madh shqiptar me renome ndërkombëtare, Ismail Kadaren.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti dhe Kadare kanë diskutuar për për letërsinë, historinë e kulturën e popullit shqiptar.

Duke rikthyer të kaluarën për botën e librave, kryeministri Kurti gjatë bashkëbisedimit i kujtoi Kadaresë se si librat e tij kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit, duke përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai tha se pikërisht këto vëllime kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e të gjitha veprave të Kadaresë.

Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë. Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet t’iu mësohet më shumë historia nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore.

Në anën tjetër, shkrimtari Ismail Kadare, siç theksohet në komunikatë, ka thënë se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale. Ndërkaq, Shqipërinë ai e renditi ndër vendet e para në zonën e Evropës që ka botuar letërsi, siç janë librat historik e kombëtar në gjuhën shqipe.

Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes.

“Me anë të artit letrar, ai tha se lexuesve, bashkohësve tanë, duhet t’u përçojmë të vërtetën pasi që kjo vlerë na duhet shumë dhe është e çmuar për njerëzimin”, ka thënë ai.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ndërkaq bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare ishte bashkëshortja e tij, Helena Kadare.

LEXO EDHE:

Back to top button