“Kushtet ruse janë ekstreme dhe të vështira për t’u realizuar”
“Kushtet ruse janë ekstreme dhe të vështira për t'u realizuar”
Gazetar: Lluka Andreev
Raundi i dytë i bisedimeve Kiev-Moskë pritet të zhvillohet të mërkurën, shkruajnë mediat ukrainase. Duke cituar burime diplomatike, ata raportojnë se delegacioni rus kishte vendosur në tryezë tre kushte, të cilat u zbuluan nga presidenti rus Vlladimir Putin në një bisedë telefonike me homologun e tij francez Emanuel Makron.
Rusia këmbëngul në statusin neutral të Ukrainës, çmilitarizimin dhe denacizimin e saj, si dhe njohjen e sovranitetit rus mbi gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014. Megjithatë, sipas mediave ukrainase, këto kërkesa ruse vlerësohen si pozicione të fundit për çka do të negociohet, sepse është e qartë se nuk mund të realizohen plotësisht.
Në fakt, kërkesa e Rusisë, e cila kërkon Ukraina të konfirmojë statusin neutral të vendit në Parlamentin ukrainas, me çka do të garantohet se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, bie ndesh me Kushtetutën e Ukrainës, e cila thekson përkushtimin për integrimin euroatlantik. Kievi këtë ndryshim kushtetues e votoi pas aneksimit rus të Krimesë, edhe pas kryengritjes së nisur nga separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit.
Përveç Krimesë, Donbas është rajoni më i madh ukrainas me popullsi ruse. Ky rajon administrativ përbëhet nga dy rajonet Donjeck dhe Lugansk, të cilat vetëm tetë ditë më parë Putini i shpalli republika të pavarura popullore.
Sipas Moskës, popullsia në këto rajone është asimiluar, prandaj një nga kërkesat ruse është denacizimi i Ukrainës, që do të nënkuptonte ndryshimin e qeverisë properëndimore në Kiev. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov nga Kombet e Bashkuara, duke folur për negociatat dhe kërkesat e Moskës, tha se Zelenski mbështet ligjet që kufizojnë përdorimin e gjuhës ruse, duke ua bërë të qartë rusëve në Ukrainë se për ta nuk ka vend në Ukrainë. Sipas Lavrov, kjo ishte në frymën e legjislacionit të Gjermanisë naziste.
“Regjimi ukrainas gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur kursin e derusifikimit agresiv dhe asimilimit të detyruar. Njerëzit që e konsiderojnë veten rusë dhe duan të ruajnë identitetin, gjuhën, kulturën e tyre drejtpërdrejt u bëhet e ditur se ata në Ukrainë janë të huaj”, tha Sergej Lavrov – Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë.
Ajo që Ukraina kërkoi në raundin e parë të bisedimeve nuk u zbulua, por kabineti i Zelenskit tha se kusht për rifillimin e bisedimeve ishte armëpushimi dhe tërheqja e trupave ruse. Derisa zhvilloheshin negociatat, Kiev u gjet nën sulme të shtuara nga forcat ruse dhe këtë e dënoi presidenti Zelenski i cili tha, nën kushte të tilla, vështirë se mund të gjendet ndonjë zgjidhje./ Alsat.mk








