Kuvend, Deklaratë për të dënuar sulmin rus
Një Deklaratë për dënimin e politikave që vendosin në pikëpyetje ekzistencën e shteteve evropiane dhe mbështetje për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës pritet të miratohet në Kuvend, shkruan Alsat.
Nisma është propozim i Partisë Liberal Demokrate por me të pajtohen të gjitha partitë parlamentare, disa prej të cilave kanë sugjerime për plotësimin e saj. Debati në komision i paraparë për sot u anulua por propozuesi kërkon që deklarata të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Deklarata është në procedurë parlamentare megjithatë nuk është vendosur në seancën e sotme plenare për shkak se pritet përkthimi. Shpresoj se nuk do të vijë deri te stërzgjatja e kësaj çështje sepse bëhet fjalë për një çështje që na shqetëson të gjithëve. Agresion ushtarak nuk mundet dhe nuk duhet të lejohet në shekullin 21. E pamë se për paqen duhet të bisedojmë vazhdimisht sepse asgjë nuk kemi të sigurt. Këtë sulm duhet ta dënojmë ashpër sepse bëhet fjalë për shkelje të rëndë të të drejtave ndërkombëtare dhe për sulm ushtarak i cili do të sjellë shumë katastrofa dhe për fat të keq, numër të lartë të viktimave njerëzore”, deklaroi Monika Zajkova, Partia Liberal-demokrate./Alsat.mk








