Kuvend, debati për shkarkimet i afrohet fundit

Kuvend, debati për shkarkimet i afrohet fundit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Shumica parlamentare shpreson që sot të mbyllet debati për shkarkimin e ministrave të Alternativës dhe të konstatohet pushimi i mandatit të tyre. Shumë pak nga deputetët e koalicionit qeveritar sot kishin replika për kolegët e tyre të opozitës, prandaj fjalimet janë duke marrë më pak kohë. VMRO-DPMNE-ja përballi pushtetin me anketat e fundit të matjes së opinionit, ku besimi në institucione dhe në BE pëson rënie të vazhdueshme.

“Kjo qeveri mund të ndryshojë fasadën por jo edhe themelet të cilët janë shumë të dobët ose nuk ekzistojnë aspak, ashtu u mboll dhe ashtu do të funksionojë deri në fund, prandaj gjithçka është e kotë dhe të gjithë ne e dimë epilogun e këtij të ashtuquajturi rikonstruim. E dimë se ky nuk është rikonstruim për shkak të ideve, programeve dhe punës por për ruajtjen e kolltukëve të rehatshëm dhe privilegjeve që ka”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

“Euroskepticizmi vjen për shkak se ju e gënjeni opinionin se që të hymë në BE duhet të heqim dorë nga gjuha, identiteti dhe historia jonë, gjë që nuk është aspak e vërtetë dhe jam i sigurt se kur të hymë në BE do të jemi maqedonas krenarë që flasin maqedonisht dhe që e ruajnë historinë e tyre”, theksoi Nenad Kociq, LSDM.

Deri tani ka përfunduar debati për shkarkimin e Bekim Sali dhe Admirim Alitit kurse diskutohet akoma për shkarkimin e Xhemail Çupit. Partia e Afrim Gashit do të largohet nga pushteti pas marrëveshjes së kryeministrit për koalicion me partinë e Arben Taravarit. Aleanca për Shqiptarët do të përfaqësohet me tre ministra dhe dy zv/ministra, për të cilët duhet të debatohet dhe të votohet pas përfundimit të procedurës së shkarkimit të ministrave të Alternativës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button