Kuvend, ka filluar debati final për buxhetin 2022
Andrea Çobanova
Deputetët nisën debatin plenar për propozim buxhetin e vitit të ardhshëm. Ministri i Financave Fatmir Besimi, para deputetëve e prezantoi buxhetin si një dokument në të cilin janë futur të gjitha prioritetet e shtetit, i cili, siç tha ai, do të sigurojë rritje të përshpejtuar ekonomike, paga dhe pensione për qytetarët.
“Ajo që është më e rëndësishme në këtë buxhet, janë prioritetet si agjenda e gjelbër, investimet në infrastrukturë, kohezioni social, buxheti zhvillimor…”, tha Fatmir Besimi- Ministër i Financave.
Mirëpo, opozita akuzoi se buxheti nuk ka marrë fare parasysh qytetarët, por interesat personale të pushtetarëve. Nuk është paraparë ndihma për daljen e qytetarëve nga kriza ekonomike, akuzoi VMRO-ja.
“Në këtë buxhet, Qeveria nuk ka paraparë para për t’u përballur me pasojat e krizës energjetike, të cilën e ka injoruar një kohë të gjatë para se të bëhet më serioze. Qytetarët kanë mbetur vetëm”, u shpreh Bojan Stojanovski- deputet i VMRO-DPMNE-së.
Opozita shqiptare ka akuzuar huamarrjen rekorde, se mund ta rrezikojë stabilitetin financiar të vendit.
“Në këtë vend nuk realizohet asnjëherë ajo që është shkruar në buxhet. Çdo vit ka një rebalanc të buxhetit dhe nuk realizohen investimet kapitale, që janë të rëndësishme për vendin. Borxhi publik do të jetë në nivelin rekord prej 700 milionë eurosh”, theksoi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Në seancë plenare do të diskutohet pesë ditët e ardhshme për buxhetin. Për vitin e ardhshëm, Qeveria planifikon të mbulojë deficitin buxhetor prej mbi 500 milionë eurosh, me huamarrje brenda dhe jashtë vendit. Paralajmërohet lëshimi i të ashtuquajturave bono të gjelbra, pra do të huazohen paratë për projekte në infrastrukturë dhe burime të rinovueshme të energjisë./Alsat.mk








