Kuvend, mbahet seanca e fundit e kësaj përbërje parlamentare

Kuvend, mbahet seanca e fundit e kësaj përbërje parlamentare

Gazetar: Lluka Andreev

Sot filloi seanca e fundit e rregullt e përbërjes aktuale parlamentare. Kryeparlamentari Jovan Mitreski informoi se në katër vitet e fundit janë miratuar 832 akte, prej të cilave 548 ligje. Siç thotë ai, 130 akte, përfshirë ligjet kyçe, nuk janë miratuar fare. Ai ka thënë se shkak ka qenë mos thirrja e komisioneve amë, kontestimi i rendit të ditës së seancave dhe bllokimi me numër të madh të amendamenteve.

Siç theksoi Mitreski, ka gjasa që para përbërjes së ardhshme parlamentare të gjendet Ligji për masat kufizuese, i cili erdhi pas zgjerimit të “Listës së zezë amerikane”. Përveç këtij ligji, të pamiratuara mbeten edhe projektligjet për lirimin nga pagesa e kontributeve për kompanitë, ligji për nëpunësit administrativë, për arsimin e mesëm dhe mësimdhënësit, e shumë të tjera.

Por, Mitreski dhe përfaqësuesit mazhorancës nuk deshën të japin vlerësim për punën e tyre para mediave.

Por, opozitarët nuk u ndanë të kënaqur me atë që është arritur. Nga VMRO-DPMNE thonë se ligjet e miratuara në katër vitet e fundit nuk kanë kontribuar aspak për jetë më të mirë të qytetarëve. Nga ana tjetër, si shembull pozitiv theksuan se nuk kishte tregtim të votave parlamentare dhe mazhoranca nuk arriti të miratojë ndryshimet kushtetuese siç thonë nën diktimin bullgar.

“Së pari, Qeveria nuk ka dorëzuar ligje të mjaftueshme në Kuvend, siç ka qenë në të kaluarën, dhe së dyti, vetë menaxhimi i Kuvendit ka qenë nën theksin e disa interesave personale të individëve nga pushteti dhe mund të shihje situata “cirku” si me Ligjin për lojërat e fatit, etj. Mund të them se kemi edhe situata skandaloze, ku nuk është shqyrtuar Raporti nga Komisioni Evropian, nuk janë vënë në rend dite shumë ligje dhe nisma”, deklaroi Bojan Stojanoski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare thekson se parlamenti ka pasur periudha me turbulenca, sepse Qeveria u përpoq me çdo kusht ta vazhdojë mandatin, pavarësisht se shpeshherë nuk arrinte të siguronte shumicën.

“Ka pasur jo pak veprime të kundërligjshme dhe joprofesionale nga ana e mazhorancës, sidomos nga ish-kryetari i Kuvendit, i cili shumë shpesh ka shkelur dhe keqpërdorur pozitën e kryetarit të Kuvendit. Është thënë edhe në raportet e Bashkimit Evropian… Me flamurin evropian është abuzuar shumë shpesh dhe nuk duhet të përsëritet”, tha Fadil Zendeli – deputet i BESA-s.

Nga 4 prilli, Kuvendi nuk do të mblidhet më, përveç rasteve emergjente, pra për inaugurimin e presidentit të ri të shtetit. Qëllimi i kësaj praktike është të sigurojë që foltorja dhe debatet në komisione të mos përdoren për qëllime parazgjedhore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button