Kuvend, përplasje për kontestin me Bullgarinë

Seanca për pyetjet e deputetëve u përqendrua në kontestin me Bullgarinë, në momentin kur deputetja e opozitës maqedonase Rashela Mizrahi shpalosi para kryeministrit Zoran Zaev historinë e familjes së saj dhe kërkoi prej tij të përsërisë nëse në të kaluarën bullgarët kanë qenë okupator ose administrator në vend.

“Zotëri Zaev, kjo është fotografi e viteve 40, në të janë e gjithë familja ime më e afërt, janë ngarkuar në trena nga okupatori fashist bullgar në vitin 43. Vetëm njëri prej tyre mbijetoi, ai është gjyshi im dhe unë jam pasardhëse e tij. Zotëri Zaev, a e dini kush është ky? Strasho Pinxhur i lindur më 1915. Ndër maqedonasit e parë i cili është shpallur hero maqedonas. Është arrestuar në Veles dhe më pas i dërguar në Shkup. Është vrarë nga ana e policisë bullgare- deklaroi Rashela Mizrahi, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Sipas Zaevit, deputetja Mizrahi këtë qasje e kishte për interesa politike.

“Asnjëherë, por asnjëherë nuk kam thënë se Bullgaria ka qenë administratë në Maqedoni. Jo. Administrata ose pushteti i atëhershëm i janë bashkuar Rajhut të tretë. Prandaj nuk mund ta bëni të gjithë Bullgarinë fashiste ose pasardhësit e bullgarëve t’i bëni fashist. Bullgaria nuk ka qenë administratë në Maqedoni. Bullgaria ka qenë okupator për shkak të vendimit të pushtetit të atëhershëm në Bullgari, gjë që sot s’na jep të drejtë të kemi ndjenja armiqësore me të gjitha popullin dhe shtetin bullgar- pohoi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev deklaroi se komisioni për vlerësimin e fakteve historike me Bullgarinë kishte arritur të zgjidhë pesë figura historike por që procesi ishte ndërprerë për shkak të vetos bullgare ndaj Shkupit në çështjen e negociatave.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button