Kuvendi i Maqedonisë miratoi Ligjin për buxhete

Kuvendi i Maqedonisë miratoi Ligjin për buxhete

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot, në kuadër të seancës së 84-të, me 69 vota “pro” e miratoi Propozimin e plotësuar të Ligjit për buxhet, i cili i përfshin amendamentet e pranuara në seancën e Komisionit për financim dhe buxhet të mbajtur para festave në fund të korrikut.

Me këtë ligj vendosen rregulla dhe parime të reja fiskale që do të zbatohen në procedurën për hartimin, miratimin dhe ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ligji është i harmonizuar me rregullat fiskale në BE.

Janë vendosur afate të reja për procesin buxhetor, i cili e zhvendos afatin kohor të përgatitjes së Buxhetit, parashikohen dispozita për menaxhimin dhe disponimin e mjeteve financiare dhe jofinanciare të shtetit dhe komunave, me qëllim të shfrytëzimit dhe disponiminit sa më të mirë të fondeve të shtetit, parashikohen dispozita të përgjithshme për administrimin e borxhit publik dhe dhënien e garancive, me procedura të përcaktuara për huamarrjen për nevojat e pushtetit qendror dhe vendor, si dhe dhënien e garancive.

Me Ligjin rregullohet gjithashtu edhe vendosja e Këshillit fiskal, planifikimi afatmesëm i Buxhetit, menaxhimi me mjetet financiare shtetërore dhe komunale, si dhe përgjegjësia fiskale dhe themelet për krijimin e një sistemi të integruar informativ për menaxhimin e financave publike.

Këshilli fiskal është një organ i pavarur, anëtarët e të cilit do të jenë ekspertë në fushën e financave publike, makroekonomisë apo ekonomisë. Atë do ta formojë Kuvendi, ndërsa anëtarët do të propozohen nga ASHAM, Enti shtetëror për revizion dhe Banka Popullore.

Janë përcaktuar rregullat dhe parimet nga zgjidhja e re ligjore, do të zbatohen edhe gjatë përgatitjes, miratimit dhe ekzekutimit të buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Qytetit të Shkupit.

Ligjin është mbështetur edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa deputeti Bojan Stojanovski u ka bërë thirrje partive në pushtet që të bashkëpunojnë me opozitën dhe ta përfshijnë në hartimin e zgjidhjeve ligjore, sidomos tani që jemi në situatë krize.

Me 72 vota “pro” deputetët e miratuan Ligjin për huamarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut me kredi nga Banka Evropiane për Investime pas Marrëveshjes financiare për Projektin për përmirësimin e infrastrukturës ujore të komunave në Maqedoninë e Veriut.

Kuvendi i votoi edhe vendimet për dërgimin e një pjesëtari të Armatës së RMV në UNIFIL në Liban dhe për shpalljen publike për emërimin e anëtarëve të Komisionit shtetëror për vendimmarrje në procedurat administrative dhe procedurat e punësimit të shkallës së dytë, si dhe tre interpretime autentike.

Seanca nuk ka mundur të vazhdojë për shkak se për disa nga pikat e rendit të ditës të këtyre seancave nuk kanë përfunduar debatet e komisioneve.

Kryetari i Kuvendit u bëri thirrje kryetarëve të komisioneve që t’i mbajnë seancat në mënyrë që të caktohet vazhdimi i kësaj seance parlamentare.

Në rendin e ditës të seancës së 84-të janë ligjet për ratifikimin e Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshja për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, me procedurë të shkurtuar, Projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e sporteve, Projekt-ligji për institucionet e arsimit të mesëm të komuniteteve fetare dhe Projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete.

LEXO EDHE:

Back to top button