Kyçyk: Maqedonia duhet të nis negociatat, historia t’u lihet historianëve

“Nuk ka pasur e as që do të ketë biseda të lehta për historinë, por gjatë këtyre bisedave duhet të shikohet kah e ardhmja.” Kjo është porosia e euro-deputeti bullgar, Ilhan Kyçyk, i cili gjatë vizitës në Shkup, ai theksoi rëndësinë që komisioni i historisë të vazhdojë me punë, ndërsa paralelisht politikanët t’i marrin vendimet politike për kthimin e besimit dypalësh.

“Duhet të fillojnë negociatat dhe kontestet dypalëshe të zgjidhen në format dypalësh. Historia duhet t’u lihet historianëve. Në negociata ka edhe çështje politike, por pjesë e rëndësishme e kornizës janë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ne kemi nevojë për kthim të besimit dhe ndërtim të marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore për gjeneratat e reja”, pohoi Ilhan Kyçyk, eurodeputet. 

Kyçyk përjashtoi ndërmjetësimin ndërkombëtar, si opsion për zgjidhjen e kontestit. Ndërsa Ministri i Jashtëm, Osmani sqaroi qasjen e re racionale, që paralajmëroi për bisedimet dypalëshe.

“Duhet të kemi qasje më racionale, t’i kthehemi bashkëpunimit sektorial mes dy vendeve, ta kthejmë besimin, ta vazhdojmë komunikimin, t’i deshifrojmë më mirë edhe një herë dallimet që i kemi. Dhe besoj nëse e ndryshojmë këtë qasje, problemet që tani na duken të patejkalueshme, me një perspektivë tjetër, me një besim më të madh, do të na duken të tejkalueshme e bile edhe iracionale. Por do të duhet kohë për të arritur këtë”, theksoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Shkupi e Sofja kanë definuar 99% të planit të përbashkët aksionar, për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017. Sipas autoriteteve vendore, 1 përqindëshi i çështjeve të padefinuara janë teknike dhe shumë shpejtë do të zgjidhen dhe do të caktohet data e konferencës dypalëshe ndër-qeveritare. Komisioni i përbashkët i historisë do të takohet më 25 dhe 26 shkurt për të diskutuar tekstet shkollore për klasën e shtatë dhe Goce Dellçevin.

 Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button