La Liga: Pirati Vedat Muriqi e gjeti thesarin e tij

Pirati nga Kosova, Vedat Muriqi, po vazhdon të lërë gjurmë në ujërat e ishullit të Majorka-s. Muriqi  shënoi dy gola ndaj Valadolidit, duke e shpëtuar skuadrën e tij nga humbja. Kështu kosovari deri më tani ka arritur në shifrën e 12 golave në ligën kryesore të Spanjës, krahas dy asistimeve.

Ai kur arriti për herë të parë, pati një qëllim – ta shpëtonte nga rënia Mallorcan, dhe e arriti këtë objektiv në fund të sezonit. Pirati kosovar ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë herë me ekuipazhin e tij është duke luftuar më shumë se për të mbijetuar në ujërat e rrezikshëm të Spanjës.

Tifozët e Majorkas janë duke ëndërruar për një vend në garat evropiane dhe kjo në bazë të renditjes shihet e mundur, të paktën matematikisht. Kështu pirati kosovar që po trazon ujërat e Mesdheut do të synojë që të vazhdojë këtë ecuri fantastike.

Kosovari ia ka vënë syrin Robert Levandovskit të Barcelonës, që është në vendin e parë të golashënuesve me 17 gola, pesë më shumë se Muriqi, por me 10 ndeshje akoma të mbetura për t’u zhvilluar deri në përfundimin e sezonit.

LEXO EDHE:

Back to top button