Lajçak pas takimit me Kurtin: Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë normalizim të marrëdhënieve ose konfrontim

Lajçak pas takimit me Kurtin: Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë normalizim të marrëdhënieve ose konfrontim

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak tha se mes Kosovës e Serbisë mund të ketë normalizim apo konfrontim. BE-ja sipas tij është fokusuar në normalizim pasi përshkallëzimi i situatës nuk është në interesin e askujt.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim, dhe ne duam patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi. Kjo është arsyeja pse ne duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim. Kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Mirosllav Lajçak, I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun.

I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për BE-në është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë…Ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është ajo që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, u shpreh Mirosllav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun.

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se në takimin me Lajçakun theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht. Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.

“Prita Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak në zyrat tona të qeverisë sot. Theksova nevojën që Marrëveshja bazë të zbatohet në tërësi, dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, shkruan Kurti.

Të hënën në Bruksel Lajçak do t’i takojë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin. Raundi i fundit i dialogut mes Kurtit e Vuçiqit u mbajt më 2 maj në Bruksel. Në atë takim palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb. Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare. Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button